Greqi, pranga grekut dhe shqiptarit, transportonin 21,5 kg drogë
12/10/2017 - 13:37 Nga: Robert Goro

Policia greke ka arrestuar dy persona, një grek dhe një shqiptar, në vendin e quajtur Angelokastro në afërsi të qytetit Agrinio.

Ata po përshkonin me makinë autostradën Joniane, dhe rritën shpejtësinë kur patrulla e policisë u bëri shenjë të ndalonin. Pasoi një përndjekje e shkurtër, gjatë së cilës ata flakën nga makina dy thasë të zinj, që përmbanin një sasi droge të tipit kanabis, me peshë të përgjithshme 21,5 kilogramë.

Policët ndërkaq mundën t’i ndalonin në një rrugë sekondare dhe u kalonin prangat.

Përveç drogës, u sekuestrua autonjeti, një shumë prej 100 eurosh, si dhe dy telefona celularë.

Dy të arrestuarit, me moshë 39 vjeç greku dhe 26 vjeç shqiptari, thanë se e kishin marrë drogën në Igumenca nga një shtetas shqiptar, dhe se destinacioni i tyre ishte Athina. 

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter