Sarandë - Historia e trishtuar e 7 familjeve rome fëmijët e të cilëve nuk do shkojnë në shkollë
10/09/2017 - 16:26 Nga: Geraldi Bregu

Ndërsa të hënën nis viti i ri shkollor, fëmijët e shtatë familjeve rome në fshatin Çukë të Sarandës duket se nuk do të shkojnë në shkollë. Familjet e tyre jetojnë në kushte të ëvshtira, duke siguruar një jetesë minimale me mbledhjen e kanaçeve, ndërsa gratë dalin për të lypur bashkë me fëmijët. Familjet janë vendosur në ish-kinemanë e fshatit Çuke pas rënies së komunizmit dhe prej asaj kohe askush nuk është kujtuar për ta.

7 familje rome në Çukë të Sarandës jetojnë prej gati 30 vjetësh në kushte të vështira, të vendosura që prej viteve të para të rënies së sistemit komunist në ish-kinemanë e fshatit.

Gjendja e keqe ekonomike i shtohet strehimit të papërshtatshëm, ku mungojnë tualetet dhe me mjedise të rrënuara ku shiu futet brenda banesave.

Pjesa më e madhe e familjarëve e sigurojnë jetesën duke mbledhur kanaçe dhe skrap, ndërsa disa nga gratë duhet të lypin rrugëve të Sarandës së bashku me fëmijët e vegjël.

Familja Kallanxhi është larguar nga Lushnja në vitin e mbrapsht 1997.

Mondi Kallanxhiu: Nuk kisha shtëpi në Lushnje, më erdhën për të më marrë gruan dhe ika nga frika.Edhën natën me maska. Erdha këtu se ka vjehrrin.Nuk kisha ku të shkoja.Mirë që na ka lënë dhe shteti këtu se nuk kemi ku shkojmë.

Gruaja e tij teksa lan rrobat në oborrin e improvizuar të shtëpisë tregon për vështirësitë ekonomike që ata hasin.

Liljana Kallanxhi: Kam ardhur që 20 vjeçe po vete 40.Këtu janë 7 familje që jetojnë në këto kushte. Herë me bukë, herë pa bukë.

Në këtë komunitet problemet janë të shumta nga papunësia tek pamundësia e shkollimit të fëmijëve të cilët detyrohen të lënë shkollën për të punuar.

Vitori Garo, një grua e moshuar rreth të 70-tave, kërkon ndihmë nga shteti pasi edhe ilaçet nuk i paguan dot.

Vitori Garo: Çupa e sëmurë andej, unë jam e sëmurë. Ja ku janë dhe ilaçet. Nuk punoj, vetëm kanaçe. 1 mijë-2 mijë lekë nuk dalin as për kafe të keqen nëna.

17- vjeçari Serxho tregon se iu desh të shkonte çoban që në moshën 5-vjeç për të siguruar disa të ardhura për familjen. Ai tregon se ka bërë 4 klasë edhe ato të cunguara. Tani është martuar dhe punon me mbledhjen e skrapit e të kanaçeve.

Serxho: Me punë private nëpër fushata, me kanaçe, ku të dalë. Unë jam i martuar.

Në Sarandë romët janë të shpërndarë në katet e para të pallateve, te barakat në Vrion, te ish-Reparti, te ish-Depo Ushqimore dhe në Çukë, të ardhur në vitet e fundit nga zona të ndryshme të vendit.

/Oranews.tv/

 

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Më shumë