Ndërpriten punimet në Elbasan - Kompania lë të hapura rrugët në lagjen ‘Kala’: Presim kanalizimet
06/10/2017 - 14:58 Nga: Belinda Ruçaj

Rrugët e brendshme në Kalanë e Elbasanit kanë mbetur të hapura, pasi firma fituese e tenderit për rregullimin e tyre ka ndërprerë punimet. Jashtë kamerës përfaqësues të kompanisë shprehen se nuk mund të vijojnë punën pa u bërë kanalizimet e ujërave të bardha dhe të zeza, investim që duhet kryer nga Ujësjellësi i Elbasanit. Por, ndërkaq, banorët përballen me rrugë edhe më të këqija nga sa i kishin.

Punimet në lagjen “Kala” në Elbasan janë ndërprerë prej dy javësh. Makineritë që kanë hapur rrugën kryesore janë larguar dhe banorët thonë se nuk e dinë shkakun e ndërprerjes së punimeve për rregullimin e rrugëve të brendshme të Kalasë.

Vështirësia për banorët është e madhe të kalojnë çdo ditë në një rrugë të gërryer nga mjetet ku orët e mbrëmjes janë më të vështira pasi edhe ndriçimi mungon.

Jashtë kameras, përfaqësuesi i firmës shprehet se ndërprerja e punimeve ka ardhur për shkak se Ujësjellësi në Elbasan nuk ka investuar në kanalizime për ujëra të bardha e të zeza dhe sipas përfaqësuesit punimet nuk mund të kryhen sepse do duhet të riinvestohet përsëri.

Ndërsa Bashkia Elbasan nëpërmjet zëdhënësit tha se kompania duhet të mbarojë punën e tenderuar pasi Bashkia e merr në dorëzim këtë rrugë vetëm pas përfundimit të punimeve.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter