“Ju flet Moska” - Ku duhet të trokasë Rigerta? Myftaraj: Dy fjalë për Bordin e FAF
10/10/2017 - 20:40

Marrë shkas nga fjalimi i Rigerta Lokut në Parlament, emisioni “Ju flet Moska” i Kastriot Myftaraj u fokusua pikërisht tek institucioni përgjegjës për kreditimin e feremrëve dhe zhvillimin e bujqësisë.

Bëhet fjalë për Shoqërinë e Parë Financiare të Zhvillimit, një institucion pranë Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave që funksionon prej shumë vitesh.

Absurdi në këtë institucion, sipas Myftaraj nis që nga struktura drejtuese. Kryetarja e Bordit është njëherësh dhe Drejtoreshë e Borxhit Publik në Minsitrinë e Financave dhe Ekonomisë, ndërsa anëtar i Bordit është ish-drejtori i UK Gjirokastër i shkarkuar nga këshilli bashkiak.

Myftaraj thotë se anëtarët e Bordit i japin kredi njëri-tjetrit dhe vetëm tek fermeri nuk shkojnë këto kredi.

Myftaraj: Rigerta dijeninë si diplomate e shkencave politike i përdori në pozitën e saj si fermere për të mbajtur një fjalim që mallëngjeu shumë njerëz. Ndoshta Rigerta me njohuritë që ka fituar duhet ta kishte njohur pak më shumë strukturën shtetërore dhe të kishte folur, por nuk është faji i saj gjithësesi, tu kishte bërë të qartë të gjithë fermerëve të këtij vendi që kanë nevojë për mbështetjen e shtetit për një institucion hije. Është një institucion pranë Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave që funksionon prej shumë vitesh. Ka një emër që po ta dëgjoni duket si kompani private, quhet Shoqëria e Parë Financiare e Zhvillimit. Akronimet në anglisht i ka FAF. Është një shoqëri publike, shtetërore me një Bord, ka një buxhet të konsiderueshëm financiar me fonde të shtetit shqiptar dhe ndihmë të huaj që jep kredi për fermerët, duhet të mbështesë bujqësinë. Jep jo pak kredi.Kryetare e Bordit të FAF është Ilda Malile.

E keni dëgjuar këtë emër? Nuk e besoj.Zonja Malile me mbiemrin e saj se është e njohur dhe me mbiemrin Mandri para divorcit. Ilda Malile është kryetare e Bordit në FAF dhe njëkohësisht dhe Drejtoreshë e Borxhit në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave. Drejtoria e Borxhit është një Drejtori që merret me gjithë borxhin e shtetit, të jashtëm dhe të brendshëm. Ne jemi një shtet me borxh të madh. Kjo Drejtori është shumë e rëndësishme. Si shpjegohet që zonja Ilda e gjen kohën që përveç punëve që ka me menaxhimin e borxhit publik të merret dhe me Bordin e FAF. Arsyet pse merret është se Shoqëria e Parë Financiare është një shoqëri shumë fitimprurëse, “është një lopë që duke u mjelur jep shumë qumësht”. Paratë rrjedhin si qumështi i një lope të mirë. Malile ja ka shitur madje dhe makinën e saj personale FAF-it me një çmim katër herë më të shtrenjtë. Është e verifikueshme, mund ta bëjë KLSH. Administrator i kësaj kompanie është Dashmir Çeli. A ju kujtohet një skenë para disa vitesh, kur këshilli bashkiak i Gjirokastrës në një transmetim direkt në TV shkarkoi Drejtorin e Ujësjellësit, ky ishte Dashmir Çeli që sot është administrator i FAF këtu në Tiranë. Shkarkohet atje se lë qytetin pa ujë dhe vjen në Tiranë në një detyrë që të marrë në dorë të gjithë asistencën për kreditin bujqësor. Ka qenë dhe ish-doganier Çeli, të gjithë këta persona kështu kanë dhe një të kaluar prej doganieri, e çuditshme.

Këta si Bord i FAF mblidhen dhe i japin kredi njëri-tjetrit me nga 2%. Vetëm tek fermerët nuk shkojnë këto kredi. Japin kredi me 2% kur kosto minimale e kredisë është 10% e më tepër. Këto nuk janë kredi, janë dhurata, falje të fondeve publike, të destinuara për fermerët shqiptarë, Rigertën. Rigerta nëse është e sinqertë duhet të trokasë në derën e FAF dhe të kërkojë se çfarë ndodh atje, të kërkojë me të drejtën e informimit publik.Kuptohet që informacionet nuk keni për ti marrë kurrë me kërkesa të tilla por informacionet që thashë unë janë lehtësisht të verifikueshme nga Prokuroria, KLSH. Çfarë kuptimi ka që Drejtoresha e Përgjithshme e Borxhit të Shtetit i cili nga FMN, BB dhe institucione të tjera ndërkombëtare është gjithnjë në vëmendje dhe alarm për borxhin, kjo zonjë që është kaq e ngarkuar me punë të ketë kohë të merret me Bordin e FAF? A mos ka një çudi kjo? Ndoshta mos ka pak punë si Drejtoreshë e Borxhit? Jo. Ka shumë punë. Po ndoshta nuk ka fare punë se nuk ka përgjegjeshmëri për borxhin. Nuk ka as punë si kryetare e Bordit të FAF se aty thjesht ndan paratë me skemën që thashë. Janë disa institucione hije që nuk i njohim. Mbledhjet e të cilëve nuk përbëjnë lajm në media por janë shumë të rëndësishme dhe duhet të vihen në vëmendjen dhe fokusin e publikut.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Më shumë