KLD - Liroi mbajtësin e 5.2 ton drogë, nis verifikimi për gjyqtarin Arqile Basho
12/10/2017 - 14:22 Nga: Keti Banushi

Këshilli i Lartë i Drejtësisë filloi verifikimin ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Vlorës, Arqile Basho, i cili ndryshoi pak ditë me parë masën e sigurisë për të pandehurin Rakip Arapaj i arrestuar për sekuestrimin e 5.2 ton drogë në Llakatund të Vlorës.

Sipas KLD-së, veprimi u ndërmor pas ankesave publike ne lidhje me këtë vendim. Arrestimi i Arapajt u bë në 14 korrik të këtij viti pas një operacioni të Policisë së Shtetit në fshatin Llakatund të Vlorës u sekuestruan gati 15 ton drogë në tre banesa.

Më 17 korrik Gjykata e Vlorës vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për tetë nga 9 të arrestuarit lidhur me ngarkesën e madhe të drogës së sekuestruar. Në burg u lanë dhe kryeplaku i fshatit Balil Gjata, Myzafer Tushaj, Ervin Tushaj, Rakip Arapaj, Kudret Tushaj, Elion Tafili. Gjykata la në burg edhe inspektorin e policisë Lirim Lamaj së bashku me të vëllanë Astrit Lamaj.

Por më vonë Gjykata e Vlorës bëri rivlerësim të masës së sigurisë duke e lënë arrest shtëpie, Rakip Arapajn kundrejt garancisë prej 1 milion lekësh të reja.

Inspektorati i KLD-së, ka filluar verifikimit për mbledhjen e të gjitha provave të nevojshme që hedhin dritë mbi faktet e ekspozuara në ankesën publike, duke i kërkuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë paraqitjen e të gjitha vendimeve dhe procesverbaleve mbi procesin gjyqësor të zhvilluar ndaj të pandehurit Rakip Arapaj  lidhur me caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg” dhe lidhur me lirimin e tij nga paraburgimi” thuhet në njoftimin e KLD-se.

Ndërkohe prokuroria ka kërkuar apelimin e vendimit të shkallës së parë në gjykatën e apelit në Vlorë. Nga 9 të arrestuarit e operacionit në Llakatund asnjë prej tyre nuk ndodhet aktualisht në masën arrest me burg. Të gjithë janë liruar nga gjykata e Vlorës në masa më të buta sigurie.

 

/Oranews.tv/ 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter