Reagimi për '25 qershorin' - Mandija, Ramës: Fakti që s’të pëlqen nuk e bën raportin të njëanshëm
18/08/2017 - 19:30

Zëvendëskryeministrja e dorëhequr, Ledina Mandja, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Edi Rama, i cili e ka cilësuar raportin e Minsitrave teknikë për zgjedhjet e 25 qershorit të njëanshëm.

Në një deklaratë për mediat, Mandija thotë se materiali përmbledhës është pasqyrim i plotë, i saktë dhe sistematik i materialit të dërguar në kohë pranë Task-Forcës nga të gjitha institucionet shtetërore.

“Duke marrë shkas nga deklarata e kryeministrit për njëanshmëri të “raportit” dhe mosqënien e tij në nivelin tim profesional, dëshiroj të sqaroj se materiali përmbledhës është pasqyrim i plotë, i saktë dhe sistematik i materialit të dërguar në kohë pranë Task-Forcës nga të gjitha institucionet shtetërore. Jo pa qëllim është quajtur material përmbledhës pasi nga ana e zyrës se Zëvendëskryeministrit nuk është ndryshuar apo shtuar asgjë që nuk është referuar apo raportuar”. 

Sipas saj, fakti që informacionet apo raportimet e vetë institucioneve shtetërore apo edhe zhvillimet e përditshme të situatave gjatë përmbushjes së misionit të Task-Forcës mund të mos i pëlqejnë forcave të caktuara politike nuk e bën raportin të njëanshëm apo jo profesional.

Në përfundim të deklaratës, Mandija thekson se “jam udhëhequr vazhdimisht nga bërja e transparencës së plotë kundrejt opinionit publik dhe pasqyrimi me profesionalizëm i të dhënave dhe fakteve që më janë raportuar dhe konsideroj se zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë themeli i një sistemi demokratik të një shteti që aspiron të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian”.

/Oranews.tv/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter