Arsimi i larte - Matura e vjeshtës një shans për universitetin, raundi i dytë: 15-22 shtator
18/08/2017 - 14:50 Nga: Jonida Tashi

Maturantët që kanë rezultuar mbetës në provimet e sesionit të parë të Maturës do të kenë një shans të dytë për të vijuar studimet e larta këtë vit. Nga data 26 gusht deri më 6 shtator do të zhvillohet sesioni i dytë i provimeve të Maturës, ku do të mund të marrin pjesë edhe maturantët mbetës në një ose dy lëndë shkollore, që i shlyejnë provimet brenda datës 22 gusht.

Sipas datave të vendosura nga Ministria e Arsimit, katër provimet e Maturës do të nisin me lëndën e Gjuhës shqipe dhe Letërsisë që do të zhvillohet më 26 gusht. Tri ditë më pas, në datën 29 gusht maturantët do t’i nënshtrohen provimit të Matematikës, më pas më 1 shtator, Gjuhës së huaj dhe në datën 6 shtator dy provimeve me zgjedhje.

Maturantët që do të rezultojnë kalues në provimet e vjeshtës do munden të vijojnë garën e pranimeve në universitete. Sipas afateve të vendosura nga Ministria e Arsimit, aplikimet për raundin e dytë do të bëhen online në portalin e Maturës Shtetërore nga data 15 deri më 22 shtator.

Paralelisht me provimet e Maturës, do të nisin edhe aplikimet online për formularin A1Z për studimet e larta, për kandidatët që nuk kanë mundur ta plotësojnë atë në fazën e parë. Aplikimet do të bëhen nga data 21-23 gusht, në mjediset e shkollave ku kandidatët kanë përfunduar shkollen e mesme.

Kandidatët që mund të plotësojnë këtë formular do të jenë:

  1. Maturantët që nuk e kanë plotësuar formularin A1 në sesionin e parë.
  2. Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme përpara vitit 2017 dhe nuk janë të pajisur me dëftesë pjekurie /diplomë.
  3. Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme përpara vitit 2017 dhe nuk kanë për të dhënë provime të Maturës, por duan të aplikojnë në IAL.
  4. Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë vendit dhe kanë të njehsuar dokumentet shkollore nga MAS.

Kujdes: Do të plotësojnë formularin A1Z vetëm maturantët/kandidatët që nuk e kanë plotësuar këtë formular në sesionin e parë të Maturës Shtetërore 2017.

Nëse maturanti/kandidati e ka plotësuar formularin A1/A1Z në sesionin e parë dhe për ndonjë arsye nuk ka marrë pjesë në provime ose ka marrë pjesë dhe ka mbetur, atëherë ai nuk duhet të plotësojë formularin A1/A1Z, sepse ai ekziston në bazën e të dhënave të Maturës Shtetërore 2017.

Në datën 28 gusht, universitetet do të shpallin listën e kandidatëve fitues në raundin e parë të pranimeve.

/Oranews.tv/ 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter