Konferenca - Meta: Suksesi i reformës në drejtësi deçiziv për të ardhmen europiane
20/10/2017 - 19:50

Presidenti Ilir Meta thotë se suksesi i reformës në drejtësi është deçiziv për të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Në Konferencën ndërkombëtare me temë “Sfidat dhe prespektivat e të drejtës private” zhvilluar në Fakultetin e Drejtësisë, Meta vlerësoi kontributin e stafit pedagogjik të këtij Fakulteti në hartimin e reformës në drejtësi.

Ilir Meta: Fakulteti i Drejtësisë i Universitetit të Tiranës, ka qenë tërësisht i përfshirë në këtë reformë, në të gjitha nivelet, që nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë, stafet teknike të punës, si dhe pjesëmarrës në të gjitha tryezat konsultative të zhvilluara nga Komisioni i Reformës. Vlerësoj se angazhimi juaj do të vijojë të jetë i çmuar edhe në këtë fazë deçizive të implementimit konkret të Reformës në Drejtësi, pasi suksesi i saj është përcaktues për të ardhmen europiane të vendit.

Por për Ministren e Arsimit Rinisë dhe Sportit, Lindita Nikolla, përfshirja e këtij Fakulteti në reformin e drejtësisë përbën një sfidë.

Lindita Nikolla: Do të mbeteni një elitë e vyer për t’iu dëgjuar në gjithçka që do të jenë nismat tona më tej ligjore.

Artan Hoxha: Është Universiteti më i vjetër, më i madh dhe më i rëndësishëm në vend dhe jo vetëm por edhe në trojet shqiptare dhe evidentimi i këtij fakti nëpërmjet veprimtarive shkencore është mënyra më e mirë për të treguar se kush është roli dhe pozicioni që Universiteti i Tiranës ka në botën akademike.Punimet e konferencës ndërkombëtare do të zgjasin dy ditë. Në të marrin pjesë edhe përfaqësues të Universiteteve të Italisë, Kroacisë dhe Prishtinës. Konferenca përkon me 60-vjetorin e themelimit të Universitetit të Tiranës, pjesë e të cilit është dhe Fakulteti i Drejtësisë.

/Oranews.tv/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter