Denoncimi i BOOM - Mungon vula e MF, rrezikohen bursat e maturantëve të profesionales
28/09/2017 - 19:22

Emisioni “BOOM” denoncoi mbrëmjen e sotme problemin me të cilin po përballen maturantët e shkollave profesionale që duan të studiojnë jashtë për shkak të ristrukturimit të Ministrive nga qeveria e re.

Disa prej maturantëve janë duke përgatitur dokumentat për të ndjekur studimet jashtë shtetit, madje disa prej tyre kanë fituar edhe bursa. Ata duhet të bëjnë gati disa dokumenta për t`i legalizuar më pas në Ministrinë e Jashtme.

Por përpara se t`i çojnë këto dokumenta në Ministrinë e Jashtme për të marrë vulën apostile, një prej këtyrë dokumentave meqenëse kemi të bëjmë me nxënës të shkollave profesionale, deri përpara ndryshimeve që ndodhën në qeveri dhe shkrirjen e disa Ministrive, vulosej tek Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

Mirëpo me ndryshimet që janë bërë, ky dokument duhet të vuloset tani tek Ministria e Financës.

Në fakt me organizimin e ri të institucioneve, Ministria e Shëndetësisë është bërë Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ndërsa pjesa e Rinisë i ka kaluar Ministrisë së Arsimit dhe Sportit e cila tani është bërë Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Pra kjo Ministri është shkrirë me dy Ministri të tjera, me shëndetësinë dhe arsimin. Megjithatë ky dokument nuk duhet firmosur në asnjërën prej institucioneve të reja, por tek Ministria e Financave.

Tani në rrethin nga vinin këta maturantë, u ishte dhënë informacioni se dokumenti ishte vulosur tek Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë deri vjet.   

Dikush nga të interesuarit shkoi dje tek ish Ministria e Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ku në fakt vazhdonte të kishte akoma njerëz në sportel, të cilët sqaruan se tani ata nuk kanë më të drejtën e vulës, pasi janë shkrirë si institucion dhe këtë vulë të interesuarit duhet ta merrnin tek Ministria e Financës.   

Denoncuesja: Kam problem, motra ka mbaruar maturën edhe i duhet një vulë për të nisur studimet jashtë në Itali se ka fituar bursën.

Punonjësja: E ka marrë ajo vërtetimin?

Denoncuesja: Nuk e di se më thanë të interesohem këtu te Mirëqenia Sociale.

Punonjësja: Në fillim tek zyrat e punës, pastaj do interesohesh te Ministria e Financës, të marrësh vulën.  

Denoncuesja: Nuk merret këtu vula?

Punonjësja: Nuk ekziston këtu më.

Denoncuesja: I bie të kalohet në Ministri?

Punonjësja: Të Financave.

Denoncuesja: Po për vulën apostile, te Ministria e Financave?

Punonjësja: Atje pra, tek ministria e Financave, pastaj tek e Jashtmja.

Denoncuesja: A, ok, ka kaluar atje, nuk ekziston më këtu.

Punonjësja: Tek e Jashtmja ka qenë. Do vesh njëherë tek Financa dhe nga Financa tek e Jashtmja.

Denoncuesja: Mirë, faleminderit, mirë u pafshim.

 

             Në Ministrinë e Financave nuk ka shkuar akoma vula

Ky është një problem për maturantët që kanë mbaruar shkollat profesionale, vetëm për ata, pasi ata të cilët kanë mbaruar shkollën e mesme të përgjithshme e kanë më të lehtë, ata e marrin këtë vulë në Drejtorinë Arsimore të rrethit përkatës, e kalojnë në Ministrinë e Arsimit dhe pastaj në Ministrinë e Jashtme. Ndërsa kjo pjesë aktualisht, është në vështirësi, pasi Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, nuk i ka vajtur vula.

Pasi me ndryshimet e reja në qeveri Ministria e Financës është bërë Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Pra duhet një vulë e re tani në këtë institucion. Problemi më i madh është se për shkak të mungesës së kësaj vule, këta maturantë mund të humbasin të drejtën e studimit, pasi procedurat kanë një afat të caktuar. Në rastin konkret deri në fund të muajit, pra sot data 28 deri më datë 30 shtator kanë afat për t`i përfunduar këto dokumenta disa nga këta nxënës.

Denoncuesja: Kam ardhur të interesohem për një vulë që më duhet ta firmosja te Ministria e Punës, dhe atje më thanë që ka kaluar tek Ministia e Financave

Punonjësi: Akoma nuk ka ardhur vula tek neve.

Denoncuesja: Po kur vjen se afati është deri në fund të muajit, se mos digjet dhe bursa e motrës.

Punonjësi: Nuk e di çfarë të them, nuk ka ardhur akoma.

Denoncuesja: Se i bie që ai kur të marrë vulën, të shkoj dhe te Ministria e Jashtme dhe kështu…

Punonjësi: E di e di, se kanë ardhur shumë veta si puna juaj dhe …

Denoncuesja: Kanë ardhur edhe të tjerë?

Punonjësi: Besoj do gjendet një zgjidhje sa të vij, ç`a të them unë.

Denoncuesja: Kur, afatet kohore janë shumë të pakta.

Punonjësi: Nuk di ç`a me thënë.

Denoncuesja: Ok, faleminderit. 

Rasti i dytë për të njëjtin problem po tek Ministria e Financave

Denoncuese: Në lidhje me vulën, Ministria e Punës n`a solli këtu.

Punonjësi: S`ka ardhur akoma.

Denoncuesja: Po kur pritet?

Punonjësi: Së shpejti, po sot s`ka ardhur. Dhe ne atë po presim, janë në mes burokracitë, por s`ka ardhur akoma.

Denoncuesja: Po dokumentat duhet t`i sjell unë paraprakisht?

Punonjësi: Jo, deri sa s`është vula, jo.

Denoncuesja: Ka shumë njerëz që janë të interesuar për këtë gjë?

Punonjësi: Shumë, jashtëzakonisht shumë.

Denoncuesja: Vijnë ata këtu çdo ditë?

Punonjësi: Vijnë.

Denoncuesja: Po me kë mund të flas, mund të flas me ndonjë?

Punonjësi: Është problem që nuk na ka ardhur akoma. Nuk ke çfarë flet.

Gazetarët e BOOM pyetën në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ku nga kontaktet me këshilltaren e Ministres për media, u tha se Ministria nuk kishte dijeni për rastin dhe shpjegoi që procedura me këto dokumenta nuk kalonte nga Ministria e Arsimit, por nga një Ministri e shkrirë tashmë, tek një Ministri tjetër.

E vetmja që na dha një sqarim dhe e falenderojmë, edhe pse ishte një sqarim me telefon, ishte këshilltarja e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministri e shkrirë tashmë, por që vazhdon punën edhe për pak kohë sa të bëhen organizimet e reja.

Ajo na shpjegoi se bëhet fjalë për një vulë të thjeshtë, e cila është vula e protokollit të Ministrisë së Financave ajo që mungon.

Sipas saj është miratuar formati i vulës, por nuk është prodhuar akoma vula.       

Zëdhënësja: Studentët që të shkojnë jashtë shtetit për studime, duhet të kalojnë disa dokumenta tek Ministria e Jashtme.

Gazetarja: Po. Po, ti legalizojnë atje, po.

Zëdhënësja: Mirëpo Ministria e Jashtme nuk njeh vërtetime, nuk njeh vula që nuk janë institucione shtetërore. Domethënë Ministritë. Megjithëse ata studentët që janë maturantë shkojnë me vulë të shkollës apo Drejtorisë Arsimore, nuk ja pranon Ministria e Jashtme. Do vetëm atë të Ministrisë përkatëse. Që do të thotë, nëqoftëse ata maturantë, janë maturantë të shkollave profesionale, atëherë vulën e jep Ministria e Mirëqenies Sociale që e kishte nën juridiksion, dhe tani ka kaluar tek Financat. Dhe meqenëse MMSR-ja u shkri, që ato vula të bëhen gati dhe t`i pranojë Ministria e Jashtme duhet të shkojnë tek Financat dhe duhet të marrin vulën tek protokolli. Nuk është asnjë gjë e vështirë. Po ka një problem. Që akoma Ministria e Financave është duke ndërtuar strukturat, po bëjnë gati vulat, domethënë është në proces dhe nuk e di sa do zgjasi kjo punë me këtë ndryshimin, bashkimin e Ministrive, më kupton?

Gazetarja: Pra, bëhet fjalë për një vulë të protokollit, nuk bëhet fjalë për ndonjë vulë të veçantë?

Zëdhënësja: Të protokollit. Po, vula e protokollit të Ministrisë së Financave .Të interesohen se unë mesa më thanë ato gocat e financave, të protokollit, ata kanë folur janë takuar, e kanë hartuar bashkë atë formatin e vulës, por nuk është akoma gati.

Shkrirjet e Ministrive, me kalimet e kompetencave nga njëra tek tjetra, dhe mungesa e vulës është problemi më i vogël që do të shkaktohet, për katër vitet e ardhshme të qeverisë pale se sa e sa probleme organizative do të dalin. Në një status në facebook edhe ish nën-kryetarja e Bashkisë Nevila Xhindi, shprehte një shqetësim të ngjashëm në lidhje me funksionimin tani e tutje të Këshillit Kombëtar të Barazisë Gjinore.

Është e dyshimtë edhe nëse ka funksionuar deri tani që ishte në varësi po të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ky këshill megjithatë, tani me shkrirjen e kësaj Ministrie i bie të mos ekzistojë fare pasi sipas ligjit ai duhet të drejtohet nga Ministri që mbulon çështjet gjinore.

Nevila Xhindi: Kam ca pyetje..ne kohe trazirash dhune gjinore!Diku u ndesha me kete paragraf…“Këshilli Kombëtar i Barazisë Gjinore” është organ këshillimor që ngrihet me urdhër të Kryeministrit, me propozim të Ministrit që mbulon çështjet e barazisë gjinore. Përbërja e tij miratohet mbi bazën e përfaqësimit të barabartë, sipas përkatësisë gjinore. Ai kryesohet nga ministri që mbulon çështjet ebarazisë gjinore dhe në përbërje ka dhjetë përfaqësues të përcaktuar nga Qeveria dhe tre nga shoqëria civile. (Ligj Nr. 9970, datë 24. 7. 2008 Për Barazinë Gjinore në Shqipëri, neni 11. )Tani qe Ministria perkatese u shkri;Tani qe cdo dite ndeshemi me dhune te paster gjinore;Di ndokush te na thote a funksionon ky keshill?Kur dhe si mblidhet?Cfare ceshtjesh ka diskutuar??

Sqarim:Në ligjin Ligj Nr. 9970, datë 24. 7. 2008 Për Barazinë Gjinore në Shqipëri, neni 11, thuhet:Këshilli Kombëtar i Barazisë Gjinore

  1. Këshilli Kombëtar i Barazisë Gjinore është organ këshillimor që ngrihet me urdhër të Kryeministrit, me propozim të ministrit që mbulon çështjet e barazisë gjinore. Përbërja e tij miratohet mbi bazën e përfaqësimit të barabartë, sipas përkatësisë gjinore.
  2. Këshilli Kombëtar i Barazisë Gjinore kryesohet nga ministri që mbulon çështjet e barazisë gjinore dhe në përbërje ka dhjetë përfaqësues të përcaktuar nga Qeveria dhe tre nga shoqëria civile. Përfaqësuesit nga shoqëria civile duhet të jenë shtetas shqiptarë, me arsim të lartë dhe të njohur, për shkak të veprimtarisë së tyre në fushën e barazisë gjinore.
  3. Mandati i anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Barazisë Gjinore është 4 vjet, me të drejtë riemërimi, me përjashtim të anëtarëve që janë zgjedhur për shkak të detyrës. Në çdo rast,ripërtëritja e të gjithë anëtarëve të këshillit në të njëjtën kohë ndalohet.
  4. Rregullat procedurale të funksionimit të Këshillit Kombëtar të Barazisë Gjinore, si dhe shpërblimi i anëtarëve të tij miratohen nga Këshilli i Ministrave në Rregulloren e Këshillit.

/Oranews.tv /

 

 

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter