Lezhë - Muri Ilir rehabilitohet pas rrëshqitjes së gurëve një vit më parë
13/09/2017 - 15:20 Nga: Elvis Hila

Muri Ilir që funksiononte si rrethimi i dytë i Lisusit antik në shekullin e katërt para erës sonë, do të ripërtërihet pas rrëshqitjes së gurëve një vit më parë për shkak të motit të keq.

Duke vlerësuar rëndësinë historike, Ministria e Kulturës e ka përfshirë restaurimin, konservimin si dhe sistemimin e tij në paketen e parashikuar për ndërhyrje në qarkun e Lezhës.

Dede Margjoni: “Do të restaurohet një segment i murit antik që është shembur vitin e kaluar si rezultat i shirave në pjesën e sipërme të qytetit antik.”

Margjoni shpjegon se kjo zonë quhet Porta e Brendshme e Lisusit antik dhe mbetet një aset i rëndësishëm pasi konsiderohet si një prej mureve më të fuqishme të qyteteve ilire. Sipas tij, vlerat dhe trashëgimia e Lezhës ende nuk janë shpalosur para publikut dhe nuk janë promovuar sa duhet.

Dede Margjoni: “Lezha ka shumë vlera, trashëgimi të cilat nuk janë shpalosur para publikut, nuk janë promovuar aq sa duhet. Lezha ka muret më të fuqishme ndër të gjitha qytetet ilire, shquhet për numrin e madh të portave. 12 porta në një qytet antik nuk i  ka asnjë qytet tjetër.”

Pas restaurimit të murit Bashkia e Lezhës do të nisë punën për ti dhënë vëmendjen e merituar kësaj pjese të historisë, për ta bërë këtë mur antik të vizitueshëm nga turistë të ndryshëm.

/Oranews.tv/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter