“Ju flet Moska” - Myftaraj: Dy fjalë për Lekun dhe kush po i lë në varfëri shqiptarët
09/10/2017 - 20:26

“Përndjekja” e monedhës vendase, lekut, ishte në qendër të analizës së emisionit “Ju flet Moska” të Kastriot Myftaraj.

Duke bërë një krahasim me situatën në rajon, Myftaraj thotë se monedha vendase mbahet e dobët përballë monedhave të tjera nga lobi i tregtarëve që sjellin mallra nga jashtë dhe lobi i koncesioneve.

Sipas tij, gjithçka është ndërtuar në të kundërt të interesave të qytetarëve duke përdorur si armë monedhën tonë, lekun, që duhet ta mbrojë BSH dhe qeveria por që realisht nuk e bëjnë.

Myftaraj: Sot do të flas për lekun.Leku është monedha jonë shqiptare që të gjithë e keni në xhepa, dikush më shumë, dikush më pak. Njerëzit thonë: Të kemi më shumë lekë. Por pjesa më e madhe nuk e dinë se do të ishin më të pasur nëse do të kishte leku fuqi më të madhe. Janë disa vendime të cilat në letër u takojnë të gjithë qytetarëve që kanë sovranitetin por që merren nga disa njerëz që nuk i kanë parasysh interesat e qytetarëve, e popullit. Se keni kaq lekë sa keni në xhep nuk është problemi kryesor. Problemi kryesor është sa fuqi blerëse ka leku që keni në xhep dhe si përcaktohet? Sot një euro i shkëmbet me 134 lekë, një dollarë me 114 lekë. Kjo është fuqia blerëse e lekut. Nëse dëgjon  financierët, bankierët, Bankën e Shqipërisë, qeverinë, të japin njëmijë e një arsye pse leku ka këtë fuqi blerëse, pse ka këtë kurs këmbimi, fuqinë e ekonomisë, rezervën valutore, shkëmbimet ekonomike me jashtë, raportin e eksportit dhe importit të mallrave dhe arsye të tjera. Por le të marrim një vend si Bosnje Hercegovina, të cilët kanë kaluar një luftë shkatërrimtare.

Nuk është se ka një ekonomi prodhuese, rezervë valutore të madhe. Megjithatë në Bosnje që ka si monedhë markën e konvertueshme, një euro shkëmbehet me 1.95 marka të Bosnjes, 1 dollarë me 1.66 marka.Thua është vërtet kaq e fortë ekonomia e Bosnje Hercegovinës? Nëse do të dëgjoni ekonomistët, financierët, do thonë: Nuk ka rëndësi kursi i këmbimit, ndodh për shumë faktorë. Në fakt janë disa faktorë që janë në dëm të qytetarëve. Nëse shkoni në Maqedoni, 1 euro shkëmbehet me 61 dinarë maqedonas, 1 dollarë me 52 dinarë. Në Serbi, 1 euro shkëmbehet me 119 dinarë të Serbisë, 1 dollar me 101 dinarë.Thua se Bosnje Hercegovina ka një ekonomi më të fortë se Maqedonia. Pak a shumë nuk e ka as më të fortë se ne.

Problemi është diku tjetër, ndërkombëtarët e kanë në kontroll Bosnje Hercegovinën duke ditur që mund të shpërbëhet ky shtet janë kujdesur të ketë stabiltet financiar dhe monedha të ketë fuqi blerëse. Raporti i monedhës me kursin e këmbëimit shpreh fuqinë blerëse të kësaj ekonomie dhe të kësaj monedhe. Në kohën e pushtimit fashist, monedha shqiptare, frangu shkëmbehej me 8.5 lira italiane, të pushtuesit. Ishte më e fortë monedha shqiptare se ajo e pushtuesit italian, në vitet ’39-’48. Sigurisht nuk mund të jetë leku më i fortë se euro dhe dollari sot. Por nuk është ky kursi real i lekut.

Kursi real mund të ishte shumë mirë këtu ku është i Bosnje Hercegovinës. Shqipëria nuk eksporton shumë dhe të zhvlerësojë monedhën. Nëse ti forcon monedhën ndalon skemën për të nxjerrë paratë jashtë, ndalon tregtarët të sjellin mall nga jashtë dhe fuqizon prodhimin vendas. Fuqizimi i monedhës shkon automatikisht në favor të prodhimit vendas. Këtu është lobi i tregtarëve që sjellin mallra nga jashtë që mban monedhën në këtë gjendje, është lobi i këtyre që kanë koncesione. Koncesionet janë vjedhje që ju bëhet ju. Dikush shkon në banka që ruajnë sekrete, offshore dhe hap aty një kompani, vjen dhe merr një koncesion në Shqipëri për shërbime, merr para të gatshme.Ky njeri do të nxjerrë paratë jashtë. Bankat e huaja që janë në Shqipëri kreditojnë jashtë, kompanitë e huaja që janë në Shqipëri nxjerrin para jashtë por jo lekë. Marrin shërbime me lekë, i konvertojnë në euro dhe dollarë dhe i nxjerrin jashtë, kanë interes që leku të ketë vlerë të ulët. Edhe në Serbi ka qeveri që kanë këtë skemë, janë në shërbim të oligarkëve, kompanive të huaja.

Dhe në Maqedoni pak a shumë. Por ja ku është realiteti ndryshe në Bosnje Hercegovinë, ku të huajt nuk e lejojnë këtë skemë se kanë frikë se shpërbëhet Bosnja. Tek ne nëse do këmbehej 1 euro me 3 lekë do kishte fuqi blerëse, si me magji do mbrohej prodhimi vendas dhe si me magji do zhdukeshin koncesionet, do ishte në interes të qytetarëve. Gjithçka është ndërtuar në të kundërt të interesave të tyre duke përdorur si armë monedhën tonë, lekun, që duhet ta mbrojë BSH, qeveria por që nuk e mbrojnë.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Më shumë