Ndërtimet në Butrint, 5 orë debat në Komision, Kumbaro raporton
12/10/2017 - 13:34 Nga: Nertila Dosti

Në Butrint nuk po ndërtohet! Ishte ky qëndrimi i Ministres së Kulturës në seancën dëgjimore që zgjati rreth 5 orë dhe u shoqërua me debate te ashpra. Mirela Kumbaro sqaroi në Komisionin Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit se bëhet fjalë për rehabilitimin e një godine ekzistuese që do të kthehet në një qendër shërbimesh në funksion të vizitorëve.

Mirela Kumbaro: “Nuk ka ndërtim, nuk ka gërmim, ka rehabilitim të një godine ekzistuese me material të lëvizshëm në çfarëdolloj momenti.”

Kundër Kumbaro pati edhe deputetë të Partisë Socialiste, të cilët kërkuan ndërprerjen urgjente të punimeve. 

Alket Hyseni: “Në fakt Ministria është duke aplikuar aty disa projekte, por shqetësimi im ka lidhje me dy projekte. Ka lidhje qoftë me projektin për qendrën multifunskionale të shërbimeve që është në diskutim dhe po ashtu ka lidhje me aplikimin e projektit për këndin Sal.”

Ndërsa opozita përmes fotove ilustroi faktin se zona me vlera të rëndësishme arkeologjike po betonizohet.

Luçiano Boçi: “Pikërisht këtu nis edhe hija e dyshimit. Vjen firma e sallamit dhe  ndërton në Butrint.”

“Nga një llogaritje me peshën specifike të betonit duhet të jetë rreth 41 ton, që mua zj. Ministre nuk më duket strukturë e lëvizshme.”

Mirela Kumbaro: E gjitha ajo platformë, me atë pjesë të vogël të telit me beton të varfëruar dhe me pjesën e drurit mund të zhvendoset në çdo moment.”

Kumbaro theksoi se projekti është konform legjislacionit, ndërsa mbi ketë cështje ka patur edhe konsultime me Unesco.

Mirela Kumbaro: Megjithëse nuk e kemi detyrim që të dërgojmë informacion për çdo projekt apo për çfarëdolloj ndërhyrje që bëjmë në të tre sitet, detyrimi ynë është raportimi i përvitshëm, ne herë pas here edhe për shkak të shkëmbimeve dhe kontakteve të rregullta që kemi konsultohemi, i çojmë informacion, bëjmë shkëmbime. Dhe në rastin konkret raporti iu është dërguar zyrës së UNESCO për informacion.”

Investimi sipas ministres kap vleren e 14.6 milionë lekëve, ndërsa pas rehabilitimit, ndërtesa do t’i jepet me qira një kompanie private për 5 vite.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento