BOOM denoncon - Në farmaci nuk ka ilaçe për të sëmurët me parkinson dhe epilepsi
21/09/2017 - 19:10

Dy medikamente të rimbursueshme mungojnë në farmacitë e Tiranës. Bëhet fjalë për ilaçin Madopar, i cili shërben për të sëmurët me Parkinson dhe ilaçi Rivotril për të sëmurët me epilepsi.

Të  sëmurët kronikë me parkinson denoncuan në emisionin “Boom” mungesën prej më shumë se dy muajsh të medikamentit Madopar, i rimbursueshëm por që  këta të sëmurë nuk arrijnë ta sigurojnë sepse farmacitë nuk kanë ose nuk japin të paktën jo më me rimbursim.

Gjithashtu në emisionin “Boom” janë drejtuar të afërm të të sëmurëve me epilepsi dhe kanë denoncuar mungesën e ilaçit  Rivotril, medikament i rimbursueshëm që edhe ky nuk gjendet askund nëpër farmaci.

Në lidhje me mungesën e dy medikamenteve Rivotril dhe Madopar në farmaci emisioni “Boom” depozitoi në Ministrinë e Shendetësisë një kërkesë për informacion  dhe kjo e fundit na kthen një pergjigjje duke na thënë se: “ Lidhur me barin Madopar  për të cilin kishte mungesë janë marrë masa per zgjidhjen e situatës dhe aktualisht nuk ka pengesë për furnizimin e tregut tonë me barin në fjalë.” 

“Referuar barit Rivotril ju bëjmë me dije se bari në fjalë është alternativë e dytë në Listën e Barnave të Rimbursuara në 2016. Alternativë e parë Clonotril 2 është i njëjti princip aktiv e prodhuar nga një kompani tjetër ka detyrimin ligjor të jetë e pranishme në tregun tonë, nuk ka munguar asnjëherë  dhe vijon të furnizohet rregullisht duke siguruar mjekimin e të gjithë pacientëve që kanë nevojë për këtë bar.”

Farmacia 1

Gazetarja: Gjyshi më çoi për Madopar të parkinsonit…

Farmacistja: Mungesë tregu, nuk ka në asnjë vend.

Gazetarja: Nuk ka ardhur akoma?

Farmacistja: Jo!

Gazetarja: A do të vijë? Dihet gjë, sepse ka dy muaj e gjysmë që ai pyet?

Farmacistja: Nuk dimë asgjë.

Gazetarja: As nuk zëvendësohet me një tjetër të rimbursueshëm?

Farmacistja: Ne vetë jo, nuk i ndryshojmë dot as unë, as ai. Duhet vetëm me mjek sepse nuk ka asgjë identike si ajo.

Gazetarja: As ta blesh me lekë?

Farmacistja: Nuk ka fare më shumë se dy muaj. E vetmja zgjidhje që unë të jap është që të marrim atë në Itali, por ajo është goxha shtrenjtë dhe nuk ja vlen.

 Farmacia 2

Gazetarja: Ky ilaçi i Madoparit ka ardhur?

Farmacistja: Jo, mungesë tregu.

Gazetarja: Kështu i  kanë thënë edhe gjyshit po çfarë do të marr në vend të këtij?

Farmacistja: E ka me recetë rimbursimi?

Gazetarja: Po.

Farmacistja: Shumë e vështirë.

Gazetarja: Bëri dy muaj ky muhabet…

Farmacistja: Edhe pritet të mos dalë për një kohë të gjatë. Ka probleme firma prodhuese. Nuk ka probleme jashtë, por ka probleme me Shqipërinë. “Faizeri” si të thuash nuk e fut këtu. Kanë probleme çmimesh.

Farmacistja: Ose duhet të detyrohesh ta blesh me lek në dorë deri kur të mbarojnë dhe këto që janë.

Gazetarja: Pse ka gjendje? Po shitet?

Farmacistja: Ka, me pullë, diçka normale por që thjesht nuk e kemi në inventar  me rimbursim  e kemi thjesht pa rimbursim.

Farmacia 3

Gazetarja: Gjyshi për Madopar më ka çuar.

Farmacistja: Madopari është mungesë tregu.

Gazetarja: Vazhdon akoma se unë erdha këtej nga farmacitë afër spitaleve se mos gjej, nuk ka ë?

Farmacistja: Më vjen keq se nuk të ndihmoj dot.

Gazetarja: Po çfarë duhet të bëj ai?

Farmacistja: Është mungesë tregu. Mungesë tregu ne i themi kur është mungesë e përgjithshme në magazine.

Gazetarja:  Nuk ka fare as me lekë, as pa lekë, se ai e merrte me rimbursim?

Farmacistja: Po të them që nuk ka.

Gazetarja: Ok, faleminderit!

Në emisionin “Boom” janë drejtuar të afërm të të sëmurëve me epilepsi dhe kanë denoncuar mungesën e ilaçit  Rivotril, medikament i rimbursueshëm që nuk gjendet askund nëpër farmaci.

Farmacia 1

Gazetarja: Si jeni? Për Rivotrilin isha e interesuar.

Farmacistja: Nuk ka.

Gazetarja: Po çfarë duhet të bëj?

Farmacistja: Të flas me mjekun se nuk ka fare në treg, ka dy muaj.

Farmacia 2

Gazetarja: Si jeni? Për Rivotrilin jam e interesuar?

Farmacistja: Jo moj s’ka.

Gazetarja: Seriozisht? Nuk ka ardhur, pati një mungesë, po nuk ka ardhur ende?

Farmacistja: Ne n`a kanë thënë që nuk vjen më fare në Shqipëri. Gjithçka ka të bëj nga ata që janë sipër fare.

Farmacia 3

Gazetarja: Për Rivotrilin jam e interesuar?

Farmacistja: S’ka!

Gazetarja: S’ka as te ju sepse pyeta edhe në 2-3 vende të tjera?

Farmacistja: Edhe 40 të pyesësh dhe nuk do të gjesh.

Gazetarja: Po çfarë të bëj ai që do të marrë 120 kokrra në muaj?

Farmacistja: As alternativa tjetër nuk është.

Gazetarja: Nuk është i rimbursueshëm ky?

Farmacistja: Eshtë, por nuk ka gjendje fare.

Gazetarja: E merrte me rimbursim..

Farmacistja: Me rimbursim është, por nuk ka fare në treg. Nuk ka në depo.

Farmacia 4

Gazetarja: Si jeni? Rivotril? S’ka? Se ka 2 muaj…

Farmacisti: Edhe më shumë që është në mungesë. Ja të pyes njëherë.

(Flet në telefon me farmacinë tjetër)

Farmacisti:  Na lër një numër telefoni se për ta gjetur nuk e gjen se është  në mungesë.

Gazetarja: Po ti nga e gjen?

Farmacisti: Po ka pra ky në farmaci i ka ngel, a merr vesh?

Gazetarja: Është stoku i tij?

Farmacisti: Eeee.

Gazetarja: Po ky e shet apo e jep me rimbursim?

Farmacisti: Po normal moj se ça vlere ka ajo, s’ka ndonjë vlerë.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter