Komisioni i Sigurisë - Noka: Kemi një polici të inkriminuar, Felaj: Mos fol pa fakte
25/09/2017 - 11:04 Nga: Everest Dedaj

Mazhoranca dhe opozita, në komisionin e Sigurisë Kombëtare debatuan ashpër për sa i përket, situatës së kriminalitetit dhe trafikut të lëndëve narkotike.

Nënkryetari i Komisionit, demokrati Flamur Noka, lëshoi akuza të forta ndaj drejtuesve të policisë duke theksuar se ata bashkëpunojnë me organizatat kriminale dhe janë të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike.

Noka: Informacionin më të shpejtë dhe më të saktë e marrin strukturat e krimit të organizuar akoma pa e ditur as drejtori i policisë dhe as ministri. Një polici e tillë e ka të vështirë të ketë kuota të larta besueshmërie.

Me deputetin Falmur Noka,  replikoi kryetarja e komisionit të sigurisë Ermonela Felaj, e cila tha se akuzat janë të pabaza ndërsa raportet e institucioneve vendase dhe ndërkombëtare vlerësojnë punën e policisë.

Felaj: Ka një statistikë të Ministrisë së Drejtësisë, ka një statistikë të Policisë së Shtetit për krimin. Nëse do të bëjmë një ballafaqim serioz dhe real të të dhënave që na japin këto statistika do të arrinim në konkluzione më të drejta.

Në komision ishin të pranishëm zv/ministri i Brendshëm Stefan cipa drejtori përgjithshëm për rendin dhe sigurinë Altin Qato, të cilët u përballën me akuza për  rritjen rasteve të krimit në familje.

Deputeti i PD: Nga shkojnë këto 3.3 mln euro? I merr policia për çfarë? Për të takuar qytetarë, për të blerë pajisje? Nga janari në gusht kemi 2963 raste të dhunës në familje, 9 janë vrasje.

Qato: Ka nevojë që përveç angazhimit të policisë, janë edhe shumë aktorë të tjerë socialë që të ndikojnë. Duhet të jetë edhe përkrahja dhe ndihma sociale që u jepet këtyre.

Përtej debateve Komisioni i Sigurisë miratoi me konsensus projekt/ligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Suedisë, për programin “Forcimi i Policimit të Komunitetit në Shqipëri”.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter