Studimi i ISP - Parti mashkullore, balancimi gjinor premtim i pambajtur konsensualisht
19/06/2017 - 10:47

Parti përfaqësuese apo parti mashkullore? Sipas INSTAT Shqipëria gratë përbëjnë 49 % të popullsisë, krahasuar me 51 % burra.

Po në politikë?

Asnjë nga 18 partitë politike konkurruese në zgjedhje nuk drejtohet nga një grua. Janë burra dhe çfarë burrash! PS ka të njëjtin kryetar prej 2005, PD prej 2013, LSI prej 2004, PR prej 1999, PDS prej 2003, dhe madje PSD prej 1991! Mali lëviz, burri nuk lëviz!

Instituti i Studimeve Politike bën një studim referuar të dhënave statistikore të partive politike:  “teknikisht duket sikur kemi përfaqësim të lartë, pasi 60% janë burra dhe 40% kandidate gra, ose 1072 kandidate gra e vajza ndaj 2666 meshkuj. DE FACTO, përqindja e grave që kanë shans për tu zgjedhur deputete, për shkak të pozicionit në listën shumëemërore është pak më e lartë sesa 2013, por shumë larg pritshmërive, premtimeve dhe standardeve që partitë politike kishin deklaruara përpara zgjedhjeve.

Tabelat ilustrojnë gratë në vendin e parë të listës dhe gratë në vendin e fundit të listës.

Referuar partive që kanë potencial për mandat elektoral, PS ka 4 gra drejtuese në qarqe, PD ka 2 gra drejtuese, LSI 3, PDIU 1 etj.

Ka parti politike si Partia Komuniste, e cila mbetet e vetmja që ka respektuar me rigorozitet sistemin e kandidimit të grave, 2+1 për çdo vend në listë, por që nuk ka shanse as teorike për fitoren e ndonjë deputeti.

Siç rast flagrant përbën Partia Republikane, e cila sipas skemës taktike elektorale është subjekt elektoral, por nuk ka interes që qytetarët të votojnë PR.

Për pasojë, ajo ka paraqitur një listë ku në 12 qarqe të parat e listës janë kandidate gra, por emrat janë tërësisht fiktivë dhe pa lidhje me politikën. Ja një shembull: kandidatja drejtues e PR në Dibër, – me arsim të mesëm dhe punon në call center.!!!

 

Në përqindje kandidimi PD është 16% në distancë me PS, duke pranuar të marrë si ndëshkim edhe gjobë financiare nga ana e KQZ, gjobë që më 2013 e mori vetë PS në Gjirokastër.

Rekord negativ PD ka Elbasanin, vetëm 1 grua në listën me 20 kandidatë, Kukësin me 4 kandidatë burra, dhe qarqet Fier e Berat ku në 3-4 vendet e para gjenden vetëm burra!

Pavarësisht se duket se PS është shumë më lart në thelbin e vet edhe përfshirja e grave në listat e saj është shumë larg premtimeve, pasi ishte një parti që propozoi në parlament kuota 50% gjinore.

P.sh, në listën e Vlorës ku kandidon vetë kryeministri, pas gruas së parë në listë (numri dy), renditen njëri pas tjetrit 8 burra, në Berat në listën me 8 emra ka vetëm 1 grua, etj.

Në Poloni, Kroaci, Slloveni, Serbi dhe vende të tjera në rajon apo pjesën ish komuniste, gratë politikane kanë bërë karrierë dhe kanë drejtuar edhe kabinete qeveritare.

Në Shqipëri posti i kryeministrit mbetet ende punë burrash! Në Kosovë patëm një grua Presidente, në Shqipëri dy burrat u takuan në një darke dhe njëri u bë President e tjetri mbeti kryeministër!

Duket përshkrim brutal, por në thelb kështu është, – partitë kanë kultivuar pak demokraci brenda tyre dhe sistemi përfaqësues është disproporcional me vlerat e politikanëve dhe karrierat politike.

Dy gratë më me karrierë në PD e PS u përjashtuan nga listat e kandidimit, dhe në vend të tyre, u emëruan gra që hyjnë për herë të parë në parlament!

Një sinjal domethënës, dhe natyrisht, negativ! Për më tepër, nëse analizoni aktivitetin parlamentar 2013-2017 gratë deputete kanë qenë më aktive sesa burrat në komisione dhe në debatet politike, dhe natyrisht, asnjë prej tyre nuk ka qenë objekt i dekriminalizimit!

/Ky eshte studim i Institutit te Studimeve Politike. Titullohet “Balancimi gjinor në politike: Një premtim i pambajtur konsensualisht”

/Oranews.tv/

 

 

 

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
“Pra kur ligjin e shkelim ne quhet krim, kur e shkel qeveria quhet politikë?”

Close