Lezhë - Pas tragjedisë së Torovicës, monitorohen akset problematike
13/10/2017 - 12:49 Nga: Elvis Hila

Bashkia e Lezhës ka nisur monitorimin e të gjitha rrugëve problematike pas ngjarjes tragjike në Torovicë, ku tre persona humbën jetën pasi një shkëmb u shkëput nga mali dhe përplasi një makinë.

Ndue Lushi: “Duke u nisur nga rasti fatkeq që ndodhi në rrugën e Torovicës të gjithë adiministratorët e njësive vendore ku ka rrugë me rrezikshmëri dhe sektori i rrugëve rurale po bëjnë verifikimet në të gjitha pikat e rrezikshme ku mund të raste të tilla. Do të ndërhyjmë me të gjitha mundësitë tona për të shmangur rrëshqitjet e guëve dhe dherërave.”

Një prej akseve më të rrezikshme është ai Kallmet-Ungrej, ku rënia e vazhdueshme e gurëve është kthyer në kërcënim serioz për jetën e kalimtarëve

Por drejtori i Shërbimeve Publike në Bashkinë Lezhë Ndue Lushi thotë se kjo njësi vendore nuk ka mjete për të ndërhyrë.

Ndue Lushi: “Është një masiv i madh që është në një segment të rrugës që nuk kemi pasur mjete për të ndërhyrë. Megjithatë Bashkia do të marrë masa dhe do të dërgojmë një mjet tjetër për ta zhvendosur gurin. Gjatë kësaj kohe kemi marrë masa dhe do të vendosim tabela sinjalistike dhe po përpiqemi që segmentet rrugore rurale në të gjithë territorin e bashkisë, me mundësitë që kemi të bëjmë ndërhyrje të vogla pasi nuk kemi fonde për të bërë ndërhyrje të mëdha.”

Pas ngjarjes së Torovicës ku shkëputja e një shkëmbi disa tonësh u mori jetën tre personave, ekspertët e gjeologjisë ngritën alarmin se shkaku kryesor i këtij fenomeni është erozioni.

/Oranews.tv/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento