Mblidhet Kryesia dhe Grupi - Basha dhe Berisha dënojnë rrjedhjen e votave të PD për Ruçin
10/09/2017 - 13:57

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, thirri sot në një mbledhje urgjente Kryesinë e grupit dhe grupin parlamentar të PD për të analizuar rrjedhjen e votave në favor të zgjedhjes së Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit.Temë e diskutimeve ishte dhe qëndrimi në seancën e datës 11 shtator, ku Edi Rama prezanton programin qeverisës.

Një ditë pas seancës plenare, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, thirri sot dy mbledhje të njëpasnjëshme me dyer të mbyllura. Fillimisht në 11:00 u mblodh Kryesia e grupit parlamentar.

Pas saj, grupi parlamentar i PD-së u mblodh në 12:00-13:53. Në mbledhje mësohet se Basha dhe Berisha kanë dënuar rrjedhjen e të paktën dy votave nga PD në votimin e kreut të ri të Kuvendit Gramoz Ruçi të shtunën në Kuvend.

“PD dënon manipulimin e PS, përpjekjen për blerjen e deputetëve të PD” mësohet të jetë shprehur Basha.

“Votimi i Ruçit është e pafalshme, duhet analizuar kjo çështje, s’mund të ndodhë. Të vendosim rregulla, kam dalë me kokën ulur nga parlamenti. Kam bindjen që aty ështe tradhti. Kush del në emër të grupit, merr miratimin e grupit nuk del vetë. Kush na futi thikën mbrapa, nuk duhet ta falim atë. Ata që e benë duhet ta dinë që ne e dënojmë, na duhen prova për të qenë serioz. Të kërkojmë prova nga komisioni se nuk na shërben të mbajmë qëndrim fals. Populli na gjykon, nuk mund të gjejmë pretekst që t’i hedhim hi syve. Asnjë nga ju pa mbledhje grupi nuk mund të prononcoheni. Grupi është grup, të pranoj unë se je ti i bindur për gabim, s’e pranoj” ka thënë Berisha.

Në mbledhje gjithashtu u diskutua edhe programi i qeverisë “Rama II” që do të prezantohet nesër.

/Oranews.tv/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento