Doreheqja e ministrave teknikë - Qeveria e re gati në fillimin e shtatorit. Zv/ministrat që morën komandat
18/08/2017 - 15:42

Në 6 ministritë të cilat drejtoheshin nga ministrat teknikë të emëruar nga Partia Demokratike, tashmë komandën do e marrin zëvendës ministart, edhe pse sipas kushtetutës, ministrat qëndrojnë në detyrë deri sa parlamenti t’i shkarkojë teksa vendi aktualisht nuk ka një zëvendëskryeminist. Zëvendës ministrat do të drejtojnë punët e këtyre dikastereve deri në përfundimin e mandatit të qeverisë ndërsa në 15 ditët e para të shtatorit do të betohet edhe qeveria e re.

Tirane- Pas dorëheqjeve të ministrave teknikë nga qeveria vendi aktualisht ndodhet pa një zëvendës kryeministër, ndërkohë që 6 ministritë e tjera do të drejtohen nga zëvendësministrat edhe pse ministrat e dorëhequr sipas Kushtetutës qëndrojnë në detyrë deri në momentin që Parlamenti mblidhet për t’i shkarkuar.

Në ministrinë e Financave, pas ikjes së ministres teknike, Helga Vukaj, do të jenë zëvendës ministrat Irena Beqiraj dhe Erjon Luçi të cilët do të drejtojnë punët e këtij dikasteri.

Në ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, e cila ka ndërruar brenda mandatit 4 ministra, me tërheqjen e ministres teknike, Xhulieta Kërtusha, do të jenë dy zëvendës ministrat Bardhylka Kospiri dhe Vjollca Braho të cilët do të marrin përsipër kompetencat deri në fund të mandatit

Në ministrinë e Arsimit dhe Sportit, pas dorëheqjes së ministres Mirela Karabina, komandën e marrin 3 zëvendës ministrat, Nora Malaj, Rauf Dimraj dhe Redi Shtino.

Tre zëvendësministra do të jenë në krye të punëve edhe në ministrinë e Brendshme pas ikjes së Dritan Demiraj. Ata janë Stefan Cipa, Rovena Doda dhe Ilir Marko.

Në ministrinë e Drejtësisë, ish ministrin Gazment Bardhi do e zëvendësojnë Arben Isaraj dhe Etilda Gjonaj ndërsa tek Shëndetësia, zëvendësministrat, Mira Rakacolli dhe Klodjan Rjepaj do të zëvendësojnë ministrin Arben Beqiri.

Edhe pse kaloi në opozitë pas zgjedhjeve të 25 qershorit, edhe LSI përfaqësohet në qeveri me 4 dikastere, si Integrimi, Mjedisi, Bujqësia dhe Transportet, megjithatë përfaqësuesit e kësaj force politike kanë deklaruar se do të respektojnë mandatin e marrë nga qytetarët në vitin 2013 dhe nuk do të tërhiqen nga qeveria.

Mandati i qeverisë aktuale skadon në 15 ditët e para të shtatorit dhe brenda këtij harku kohor do të mblidhet parlamenti i ri dhe do të betohet qeveria e re e dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit.

/Oranews.tv/ 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter