Ralf Gjoni dorëhiqet nga posti i sekretarit Ndërkombëtar të LSI
08/09/2017 - 17:30

Sekretari Ndërkombëtar i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ralf Gjoni ka dhënë dorëheqjen nga ky post, të cilin mbante prej 5 vitesh. Vendimi u bë i ditur nga vetë Gjoni nëpërmjet një postimi në Facebook.

Ralf Gjoni në Facebook:

Ju bëj me dije se sot i kam paraqitur Kryetares së LSI znj. Monika Kryemadhi, dorëheqjen time nga pozicioni i Sekretarit Ndërkombëtar të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Ishte një hap i natyrshëm, i vonuar dhe që synon kalimin e këtij sektori të rëndësishëm në duart e një brezi tjetër.

Kam patur kënaqësinë ta mbaj këtë detyrë dhe përgjegjësi që prej shkurtit të vitit 2012 dhe sot pas 5 vjetësh ndjehem krenar për atë ç’ka kemi arritur në drejtim të vendosjes së një standardi koherent, profesional dhe evropian të praktikës së marrëdhënieve ndërkombëtare në raport me forcat e tjera politike në vend.

I kam uruar njëkohësisht suksese znj. Kejdi Mehmetaj, e cila në cilësinë e Nënkryetares së LSI merr stafetën e marrëdhënieve ndërkombëtare të partisë, si dhe kam uruar znj. Kryemadhi për drejtimin e mëtejshëm të LSI-së, duke i dëshiruar sukses në reformimin e ridimensionimin e LSI-së në përballje me sfidat e ardhshme politike në Shqipëri.

Dua të falënderoj të gjithë kolegët e Trupit Diplomatik në Shqipëri, Ambasadorë e punonjës të institucioneve të huaja, kolegët e mi në Parlamentin Evropian, veçanërisht në Grupin Socialdemokrat, të gjithë kolegët e Komisionit Evropian dhe të Shërbimit të Jashtëm të BE-së në Bruksel, dhe patjetër kolegët e dashur amerikanë të Departamentit të Shtetit dhe institucioneve të tjera në Washington DC – për bashkëpunimin e ngushtë, të sinqertë e profesional që kemi patur gjatë këtyre 5 viteve të fundit.

Një falënderim të veçantë për të gjithë kolegët e nderuar të medias, të cilët kanë qenë gjithnjë të gatshëm të pasqyrojnë angazhimet dhe aktivitetet tona.

Marrëdhëniet ndërkombëtare mbeten fusha ime e preferuar politike, ndërkohë që unë personalisht mbetem në pritje të sfidave të reja në të ardhmen e afërt.

Një përshëndetje të përzemërt për të gjithë miqtë virtualë që nuk rreshtin kurrë së ndjekuri angazhimin tim politik…

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter