Rama-deputetëve: Kujdes emërimet me lidhje të shkurtra
08/09/2017 - 16:34

Kryeministri Edi Rama u kërkoi deputetëve dhe ministrave që të bëjnë kujdes me emërimet në administratë, pasi nuk do të tolerohet asnjë emërim, sipas tij, me lidhje të shkurtër apo si pasojë e nepotizmi.

Deklaratat e kryeministrit janë bërë gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste në selinë e kësaj partie.

Mbledhja u zhvillua një ditë përpara zhvillimit të seancës parlamentare, ku do të votohet Gramoz Ruçi për postin e kryetarit të Kuvendit.

Pas seancës së ditës së shtunë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, Ruçi, mësohet se të hënën, kryeministri do t’i paraqesë Kuvendit edhe programin e tij si dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave për votim, një votim i cili pritet të zhvillohet pasditen e së hënës, ndërsa betimi para presidentit i qeverisë së re, pritet të ndodhë pasi të kthehet Presidenti Ilir Meta nga vizita zyrtare në Itali ditën e mërkurë.

 

/Ora News.tv/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter