Deklarata - PS “Jo” arrestimit të Tahirit, Rama: Prenë arrestin me fletë bakalli
23/10/2017 - 9:10

Grupi Parlamentar Socialist do të votojë unanimisht kundër arrestimit të deputetit Saimir Tahiri në seancën e së mërkurës në Kuvend.

“Kërkesa e prokurorisë për arrestim është e papranueshme sepse është arbitrare dhe kërkesën për arrestim e refuzojmë unanimisht. Do ta ngrejmë dorën kundër arrestimit të mërkurëndeklaroi Rama në fjalën e mbajtur para grupit parlamentar paraditen e sotme.

Ndërkohë Saimir Tahiri nuk do të jetë pjesë e grupit parlamentar socialist dhe as e forumeve socialiste deri kur drejtësia të japë vendimin për fajësinë apo pafajësinë e tij.

“Saimiri Tahiri do të jetë një njeri i lirë  dhe deputet i lirë, për të bërë betejën e tij të lirë jashtë forumit të partisë dhe jashtë grupit parlamentar të PS-së”.

Rama sulmon prokurorine

Rama sulmoi Prokurorinë e Krimeve të Rënda duke deklaruar se prenë fletë arrestin me fletë bakalli,  madje aludoi dhe se po politikisht nga opozita

Edi Rama: “Si mund të bëjë vaki sot ku Shqipëria ka dalë nga tranzicioni me statusin kandidat për në BE dhe pret të çelë negociatat për anëtarsim në BE që ça muhabete të lllumit të kazanit të krimit të dala në kazanin e medias pasi janë zier me mijëra herë në ball-kazanin e politikës të përdoren për të arrestuar një deputet me burg pa e marrë në pyetje?! Lëre pastajt hetime të thelluara dhe prova të faktuara që as bëhet fjalë. 

Ku u gjet ky zell i panjohur i një Prokurorie Krimesh të Rënda që nuk ka lëvizur gishtin që kur ka lindur jo për ndonjë nga mijëra akuzat e ngritura sheshit nga njerëz publikë, jo përgjime nga llumi i krimit por as për ca fakte dhe prova që dihen dhe shihen ashiqare si të dyshimta dhe shumë të dyshimta madje në pasqyrën e viteve të jetës së kësaj prokurorie, kurrë, as edhe njëherë.

Jo se thanë e çfarë nuk thanë, por as se i sakatuan, as se i dogjën, as se i vranë, jo jo jo hiç,  kurrë një gisht nuk e lëvizi kjo prokuri me një emër kaq të madh dhe një bilanc memec në kaq vite.

Po pse ku jemi ne, në cilën epokë të gurit apo drurit që u gjetka kurajoja për të sfiduar Kushtetutën, ligjin, parlamentin e shtetit shqiptar për ti prerë faturën e burgut një deputeti me katër fletë bakalli, që do ofendonte çdo bakall, do ta ofendonte dhe blerësin më hutaq duke i dhënë një faturë ku llogaria mbaron me etj.

Kujt dhe për llogari të kujt deshën t’ia shesin këtë faturë arresti me burg të një deputeti?  Këta prokurorë, të cilëve ky popull u ka besuar drejtësinë për krimet më të rënda, ndëshkimin për vrasësit, trafikantët, të korruptuarit e këtij vendi. O Zot! Kështu i luftojnë kriminelët këta?! Me etj? Dhe pastaj e zgjidhim rrugës a ishte ti, apo ishte një tjetër që ja morën jetën një etj mes shumë etj për të cilët zemrat e të përvëluara të familjarëve të shkretë vazhdojnë të kërkojnë drejtësi.

Normal, prandaj vazhdon avazi tani dhe katër vjet. Policia kap dhe lidh pranga natën dhe kriminelët dil në mëngjes duke dredhur zinxhirë nga dera e gjykatës. Pse çfarë jemi ne sipas këtyre faturistëve të arrestit pa asnjë provë?! Ne ligjvënësit shqiptarë?!

Apo na dinë ekspertë kontrabël nga ata që firmosin bilance falso për të marrë ryshfet ose mos na dinë gjë për inspektorë pune nga ata të cilëve fëmijët e skllavëruar që çmontonin municione në fabrikën e vdekjes në Gërdec u dukeshin si kafshë hamallëku?!

Apo ne na erdhi në shteg Saje Qorri, ju jeni në shtegun e vettingut, rrëzojmë qeverinë e krimit dhe ju bëni çorapë vettingun,me gjithë planin ogurzi të mbështetësve euro-amerikanë për të zbatuar atë reformë të mallkuar në drejtësi?! Pyetje retorike janë këto.

Rama: Saimir Tahiri nuk mund të linçohet

E papranueshme sepse është arbitrare, këtë bindje e mbështesim pa asnjë rezervë dhe kërkesën për arrest e refuzojmë unanimisht. Ndërkohë që për ti dhënë prokurorëve të gjitha mundësitë e mundshme për kryerjen e një hetimi serioz të thellë dhe shterues përfaqësia jonë në raportin e vet ka nënvizuar pramimin e kërkesës së prokurorisë për: 1.Dhënien e autorizimit për ndalimin e daljes jashtë shtetit.

2.Detyrimin për tu paraqitur në policinë gjyqësore.

3.Ndalimin dhe detyrimin që qëndrimin në një vend të caktuar.

4.Garancinë pasurore.

5.Kontrollin personal dhe të banesës së deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Saimir Tahiri.

Tani të jem shumë i qartë këtu se ky është një qëndrim personal. Në ansjë rast tjetër, për asnjë deputet tjetër i kujdo force politike nuk do ta kisha kuptuar dot pranimin e këtyre kërkesave që mbeten ekstreme.Ti shkosh tjetrin në shtëpi, ta ndalosh tjetrin kur të duash, të mos e lejosh të dalë jashtë vendit, ti kërkosh garanci pasurore në një mungesë ekstreme provash, por në këtë rast i bashkohem propozimit të përfaqësisë sonë për ta pranuar unanimisht këtë çudi të re shqiptare. I bashkohem sepse pyetjaa është i pafajshëm Saimir Tahiri nuk mund të rrijë pezull në asnjë mendje shqiptare që nuk kërkon shesh për të bërë përshesh por kërkon të dijë të vërtetën. Vetëm, të vërtetën dhe asgjë tjetër.

I bashkohem sepse ish-Ministri ynë i Brendshëm më i pëlqyer nga publiku dhe më i akuzuari publikisht për katër vjet rresht në fushën e një beteje të rëndë nuk mund të përceptohet dhe as tregohet me gisht nga asnjë si një i strehuar politik në gjirin tonë. Duke e mbajtuar ai vetë hijen e kësaj historie të neveritshme mbi shpinë dhe cilido këtu apo jashtë këtyre mureve hijen e dyshimit se mos kush e di mbase po të ishte bërë hetimi me të gjitha këto masa, mbase. I bashkohem se Saimir Tahiri nuk mund të pafajësohet dot as nga mungesa fatale e seriozitetit të treguar nga prokuroria deri më sot, as nga mungesa totale e provave deri më tani, por vetëm nga gjykata.Në një proces pa asnjë alibi për prokurorinë dhe për lehaqenërinë politike dhe mediatike, pa asnjë jo po kështu, jo po kështu, jo po andej dhe jo po këtej, as tani, as gjatë dhe as përfundimit të procesit.

I bashkohem sepse mbi të gjitha sepse kjo qeveri e re sapo ka marrë një mandat të fortë për të bërë shtet, unë vetë si Kryeministri juaj, jemi krejt ndryshe nga ata që na janë turrur sot me tërbimin e pushtetit të humbur dhe me dëshpërimin prej drejtësisë së re që po troket. Ne duam të vërtetën dhe atyre nuk ju ka interesuar kurrë dhe nuk ka si t’ju interesojë sot e vërteta. Ne duam drejtësi, ata duan atë që kanë dashur gjithmonë, tollovi. Unë e dua Saimirin por sot më shumë se Saimirin dua drejtësinë të më tregojë të vërtetën.

Si përfundim për të shkuar tek e vërteta, Saimir Tahiri nuk mundet kurrsesi të linçohet me një burgosje që në këto kushte ka vetëm qëllime të poshtra por duhet gjithësesi të hetohet me të gjitha mundësitë shtrënguese që parashikon kodi penal. Deri kur e vërteta të dalë ne do të vigjilojmë mbi procesin vetëm në aspektin e garancive kushtetuese, ligjore siç kemi bërë deri tani dhe siç do bëjmë për këdo që drejtësia e re do të sjellë këtu në këtë parlament. Por në ansjë mënyrë nuk do të përfshihemi politikisht në këtë proces si mbrojtës të Saimir Tahirit, nga unë më i pari tek të gjithë tjerët.

Tahiri jashtë grupit të PS dhe forumeve deri në mbyllje të hetimit

Ne nuk jemi këtu për të mbrojtur të vërtetën e Saimir Tahirit por për të bërë detyrat e mëdha që kemi për të qeverisur Shqipërinë. Saimiri do të jetë deri në përfundim të këtij procesi një njeri i lirë dhe deputet i lirë për të bërë betejën e tij ashtu si do ta mendojë ai jashtë forumeve të partisë dhe jashtë grupit parlamenrat të PS.

Votë pro edhe për arrestin nëse prokuroria do të sjellë prova

Do të presim drejtësinë për të na thënë të vërtetën sa më parë dhe sigurisht sa për të mos lënë  asnjë lloj ekuivoku ne jemi këtu. Nëse prokuroria sjell prova, jo gazeta dhe vjen këtu me fakte që sipas saj hapin rrugën për arrestimin e deputetit, jo për të mbyllur derën, Komisioni i Mandateve mund të rimblidhet menjëherë. Ashtu si do ta ngremë dorën pa asnjë rezervë kundër arrestit të mërkurën jo për të mbrojtur Saimir Tahirin por për të mbrojtur Kushtetutën, ligjin dhe drejtësinë, do ta ngremë dorën pa asnjë rezervë edhe për arrestin nëse prokuroria do të sjellë prova. Të bëhet drejtësi. Nëse në fund drejtësia pohon të vërtetën e Saimir Tahirit atëherë ju siguroj se nuk do të jetë më nevoja t’ju themi njerëzve se në jemi ndryshe. Dhe Saimiri mirë se të kthehet me nderin që do ti takojë dhe me zemrat tona peshë prej një çlirimi shumë të madh në vendin që i përket, në këtë grup dhe familje politike, ku gjithëkush mund të gabojë por askush nuk mund të tradhëtojë Shqipërinë, njerëzit që na besojnë dhe mbështesin.

Rama: Boll e kam bërë avokatin e Tahirit. Uroj të mos e kem pishman

Sot nuk më mjafton dot përgjigjja e Tahirit. E kam të pamundur të mjaftohem me përgjigjen e tij

Do të ishte zhgënjimi më i rëndë dhe mësimi më i hidhur nëse do të zbuloj se pas kësaj historie Saimir Tahiri do të ishte ai që unë njoh por një vemie që turpëron fjalën njeri. Kushdo të mendojë ç’të dojë. Nuk më intereson. Për mua nga momenti i parë sot e deri kur të dalë e vërteta nuk ka rëndësi asgjë tjetër veç përgjigjes së pyetjes: A është i pafajshëm Saimir Tahiri?

Boll e kam bërë avokatin e Saimir Tahirit për 4 vjet në gjyqet politike e mediatike. E kam bërë me vetëdije të plotë pa dyshuar kurrë në integritetin e tij, e kam bërë me pasionin për të ndryshuar Shqipërinë. 

Uroj që të mos e kem pishmanin e jetës time politike gjithçka kam dhënë dhe gjithçka kam marrë nga Saimir Tahiri.

‘Pas prindërve, i pari që dua të besoj pafajësinë e Saimirit jam unë’

Rama: Në Shqipëri pas prindërve të tij vjen i pari një njeri që dëshiron të besojë pafajësinë e Saimirit, jam unë.Por ndryshe nga nëna dhe babai i Saimirit unë nuk jam prindi i tij edhe pse qysh se u bëra Kryeministër edhe tim bir e kam pas në komunikim pak herë në muaj ndërsa me Ministrin e Brendshëm kam komunikuar disa herë në ditë.

Karriera politike e Tahirit në PS deri tek zgjedhja si Ministër

Në 8 vite punë në PS në opozitë ai ishte i riu i parë që hyri në seli pas meje, ku sapo isha zgjedhur kryetar. Kishte qenë vullnetar për bashkinë në 2003. U paraqit përmes një emaili ku dëshironte të lexoja disa ide të tij për reformimin e PS. E nisi rrugën e karrierës si kordinator i një rrjeti vullnetarësh që ndërtoi vetë nga hiçi pastaj u bë ai zëdhënësi i ri i partisë me një dërrasë të zezë në të cilën shkruante me shkumës para kamerave fakte kompromentuese të korrupsionit qeveritar. I ngjiti shkallët një e nga një me ambicie të fortë dhe vullnet të veçantë. Për meritat e tij në punë u zgjodh edhe Ministër i Brendshëm. I dhashë gjithë besimin dhe gjithë mbështetjen time njësoj si të tjerëve por siç tregoi koha në detyrën shumë të vështirë që mori atij ju deshën që të dyja më shumë se gjithë të tjerët.Nuk i ndërhyra asnjëherë të vetme në zgjedhjen e bashkëpunëtorëve në Ministrinë e Brendshme, i kam miratuar pa ngurim kandidaturat që ai më ka propozuar për Drejtor të Përgjjthshëm të Policisë së Shtetit, si të parin edhe të dytin.

Nuk e kam pasur kurrë deri ditën që ka ikur nga zyra e Ministrit as numrin e të parit,as numrin e të dytit në telefonin tim. Çdo mesazh të qytetarëve apo shqetësim përmes telefonit për policinë e shtetit ja kaloja Ministrit dhe aty mbyllej.Nuk mbaj mend të kem folur në katër vjet me një drejtor policie apo shef komisariati në telefon, as nuk kam takuar ndonjë prej tyre përveçse në rastet e takimeve shumë të rralla të punës me ta në prani të Minsitrit. Nuk kam lejuar në asnjë rast që kam marrë dijeni që Ministri i Brendshëm të vihej në pozitë nga deputetë apo kolegë Ministra, as për gjoba shkeljesh të rregullave të qarkullimit që krijuan acarim të madh ndaj Saimirit, as për ankesa për këtë apo drejtor policie që nuk u bindej më në telefon sipas traditës.

As për ndërhyrje të policië në një rast apo tjetër ku deputetët viheshin në pozitë nga ankesat e njërit apo tjetrit zgjedhës në zonë apo ndonjë i njohur i tyre.Kush është këtu dhe ishte dhe mandatin e shkuar mund ta kujtojë. Që në mbledhjen e parë pas krijimit të qeverisë së parë u kam thënë: Në tre drejtime do ti ndalojmë si fillim menjëherë ndërhyrjet politike.Policët, mësuesit, diplomatët.Prandaj mos u bini telefonave të Ministrave për të punësuar as policë, as mësues dhe as diplomatë.E kanë të ndaluar nga unë tu hapen rrugët.

Sepse pa të paktën këto tre figura shteti nuk ngjan gjëkundi me një shtëpi të përbashkët por me një han me 7 porta siç ishte.Më është dashur ta përsëris jo njëherë këtë në fillimet e mandatit të parë, në ndonjë rast kam bërë edhe debat me ton të lart me ndonjë anëtar të grupit sepse nga njëra anë tradita mizerabël, nga ana tjetër presioni i madh i kërkesave të njerëzve e bënin shumë të vështirë për deputetë të përshtateshin me këtë rregull që atëherë dukej si kufizimi pushtetit të tyre mbi Ministrin dhe si një pushtet i pakontrolluar i Ministrit. Por pas ca kohësh mes disa turfullimesh dhe grindjesh u arrit përgjithësisht mirëkuptimi.Për herë të parë në historinë e trazicionit policia e shtetit nuk ishte më mish për tu shqyer ne tepsinë e pushtetit dhe aleatët tanë të vegjël me oreks të madh si çdo i vogël që do të rritet me nxitim iu ndalua futja e duarve të kudondodhura të partive në mëngën e policisë së shtetit.

Tahiri, Ministri i Brendshëm më me shumë dorë dhe më jetëgjatë

As një Ministër i Brendshëm nuk kishte pasur ndonjëherë kaq shumë dorë. Sepse nga njëra anë unë mbroja bindjen se nuk bëhej dot shtet nëse institucionet dhe zyrat popullohen me ndërhyrje dhe telefonata imponuese nga të katër anët por kisha dhe bindjen tjetër se sidomos të zgjidhesh Ministër i Brendshëm në 2013 për të ringritur policinë e shkatërruar që trashëguam duhet të kishe mundësinë për ta ushtruar mandatin. Për të vendosur rregull në atë trupë të shkrehur dhe luftuar kriminalitetin nuk mund të ishe një prift me mjekër të rruar si paraardhësit e panumërt të Saimir Tahirit. Është e vërtetë ajo që Saimiri përsërit, ishte Ministri më jetëgjatë në atë detyrë në historinë e tranzicionit por jo sepse ishte i afërt me mua si njeri, as se ra nga qielli në mesin tonë i lindur për tu bërë Ministër i Brendshëm por sepse unë i pari fare në fillim dhe pak nga pak të gjithë deputetët e PS dhe gjithë PS i dhamë besim të jashtëzakonshëm dhe nuk jam kursyem mbështetjen sa herë ishte e nevojshme për ta drejtuar Ministrinë e Brendshme si drejtuesi i pakontestueshëm nga ne.

A është i pafajshëm Saimir Tahiri?

Sot nuk është dita për të renditur sa shumë fitoi vendi dhe njerëzit nga linjë e re jo tradicionale dhe sa shumë ndryshoi në shumëçka policia e shtetit nën drejtim e Saimir Tahirit. Nuk jemi mbledhur këtu për të dekoruar Ministrin më jetëgjatë në karrige që për shumë kënd para tij ka rezultuar të jetë politikisht elektrike ose minimalisht paralizuese. Jemi mbledhur për çfarë duhet të bëjmë ne lidhur me kërkesën e prokurorisë së krimeve të rënda e cila nuk kërkon vetëm një sërë masash të rënda shtrënguese në funksion të hetimit që ka nisur por deri dhe arrestimin e Saimir Tahirit. Nuk do kishte kuptim nëse unë Kryeministri dhe kryetari juaj nuk do të merresha me pyetjen e stërmundimshme: A është i pafajshëm Saimir Tahiri? Natyrisht nuk mund të kërkohet nga unë si përgjigje as një shpallje politike pafajësie as ngritja e ndonjë pikëpyetje mbi pafajësinë.Por shumë kush e kërkon me të drejtë se çfarë mendoj unë.Është një rast atipik ku gjendem në një gjenje atipike për shkak se Saimir Tahiri nuk ishte njëri ngsa Ministrat e qeverisë sime deri dje, ishte Ministri më i ekspozuar i saj, më popullori në opinionin e shumicës dhe më i urryeri në sytrë e pakicës. Shpesh këto shkojnë bashkë, sidomos në Shqipëri. Me sukseset më të duartrokitura publikisht dhe akuzat më të panumërta publike. Këto shkojnë gjithmonë bashkë, ku suksesi është dhe një lloj i veçantë mallkimi. Ministri i Brendshëm përceptohej nga të gjithë jo pa arsye, edhe pse sipas meje pa të drejtë, si bashkëpunëtori më i ngushtë dhe si i preferuari im në kabinet.

Te merkuren seanca

Ndërkohë të mërkurën do të mblidhet seanca plenare, ku pritet të hidhen në votim dy raportet, një nga opozita dhe tjetra nga mazhoranca pas votimit në Këshillin e Mandateve.

Mazhoranca ka autorizuar prokurorinë vetëm për kontrollin personal dhe të banesës së zotit Tahiri, nga ana tjetër opozita ka mbështetur të plotë kërkesën e Kriemeve të Rënda për arrestimin e Tahirit.

 /Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter