Tahiri deri në përfundim të hetimeve jashtë grupit PS
23/10/2017 - 9:19

Deputeti Saimir Tahiri nuk do të jetë pjesë e grupit parlamentar socialist dhe as e forumeve socialiste deri kur drejtësia të japë vendimin për fajësinë apo pafajësinë e tij.

“Saimiri Tahiri do të jetë një njeri i lirë  dhe deputet i lirë, për të bërë betejën e tij të lirë jashtë forumit të partisë dhe jashtë grupit parlamentar të PS-së” deklaroi Rama në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar ku u vendos për qëndrimin që do të mbajnë seancën e së mërkurës ku do të votohet kërkesa e prokurorisë për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Saimir Tahirit.

Rama sulmon prokurorinë:

“Ku u gjet ky zell i panjohur i një Prokurorie Krimesh të Rënda që nuk ka lëvizur gishtin që kur ka lindur jo për ndonjë nga mijëra akuzat e ngritura sheshit nga njerëz publikë, jo përgjime nga llumi i krimit por as për ca fakte dhe prova që dihen dhe shihen ashiqare si të dyshimta dhe shumë të dyshimta madje në pasqyrën e viteve të jetës së kësaj prokurorie, kurrë, as edhe njëherë.

Jo se thanë e çfarë nuk thanë, por as se i sakatuan, as se i dogjën, as se i vranë, jo jo jo hiç,  kurrë një gisht nuk e lëvizi kjo prokuri me një emër kaq të madh dhe një bilanc memec në kaq vite.

Po pse ku jemi ne, në cilën epokë të gurit apo drurit që u gjetka kurajoja për të sfiduar Kushtetutën, ligjin, parlamentin e shtetit shqiptar për ti prerë faturën e burgut një deputeti me katër fletë bakalli, që do ofendonte çdo bakall, do ta ofendonte dhe blerësin më hutaq duke i dhënë një faturë ku llogaria mbaron me etj.

Kujt dhe për llogari të kujt deshën t’ia shesin këtë faturë arresti me burg të një deputeti?  Këta prokurorë, të cilëve ky popull u ka besuar drejtësinë për krimet më të rënda, ndëshkimin për vrasësit, trafikantët, të korruptuarit e këtij vendi. O Zot! Kështu i luftojnë kriminelët këta?! Me etj? Dhe pastaj e zgjidhim rrugës a ishte ti, apo ishte një tjetër që ja morën jetën një etj mes shumë etj për të cilët zemrat e të përvëluara të familjarëve të shkretë vazhdojnë të kërkojnë drejtësi.

Normal, prandaj vazhdon avazi tani dhe katër vjet. Policia kap dhe lidh pranga natën dhe kriminelët dil në mëngjes duke dredhur zinxhirë nga dera e gjykatës. Pse çfarë jemi ne sipas këtyre faturistëve të arrestit pa asnjë provë?! Ne ligjvënësit shqiptarë?!

Apo na dinë ekspertë kontrabël nga ata që firmosin bilance falso për të marrë ryshfet ose mos na dinë gjë për inspektorë pune nga ata të cilëve fëmijët e skllavëruar që çmontonin municione në fabrikën e vdekjes në Gërdec u dukeshin si kafshë hamallëku?!

Apo ne na erdhi në shteg Saje Qorri, ju jeni në shtegun e vettingut, rrëzojmë qeverinë e krimit dhe ju bëni çorapë vettingun,me gjithë planin ogurzi të mbështetësve euro-amerikanë për të zbatuar atë reformë të mallkuar në drejtësi?! Pyetje retorike janë këto” 

vijon 

 

 

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento