“Furtunë” në polici - Ndërtimet në Vjosë, shkarkime në tre komisariate të jugut
13/10/2017 - 10:47 Nga: Keti Banushi

Një ndërtim pa leje në zonën e Këlcyrës në Përmet u ka kushtuar shtrenjtë drejtuesve vendor të policisë. Kreu i Policisë së Shtetit, Haki Çako ka firmosur disa masa për punonjësit e Policisë, së Përmeti të Këlcyrës  dhe Gjirokastrës, të cilët janë evidentuar me përgjegjës për lejimin e këtij ndërtimi.

Albert Dervishi: Masat përfshijnë edhe 2 drejtuesit vendore të Policisë së Gjirokastrës, pasi mbi bazën e konkluzioneve të Drejtorisë së Standardeve nuk kanë ushtruar përgjegjësinë ndaj strukturave në varësi për raportimet për kontrollin e territorit. Theksojmë këtu se kontrolli i territorit, në të cilin përfshihet edhe ruajtja e mjedisit nga çdo lloj krimi mjedisor, është detyrë dhe përgjegjësi e strukturave të Policisë Vendore.

Hetimet për këtë ngjarje nisën me 5 shtator, kur në grykën e Këlcyrës nisi puna për devijimin e një burimi natyror uji. Edhe pse në atë kohë është dërguar për kontroll grupi i postës së Policisë së Këlcyrës, ngjarja nuk është raportuar pranë strukturave përgjegjëse dhe në Prokurori.

Për këtë arsye të gjithë zyrtarët e policisë së Përmetit, janë akuzuar edhe për shpërdorim detyre. Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, përmes një letre drejtuar krerëve të Policisë së Shtetit, dënoi ashpër mosreagimin e strukturave përgjegjëse.

Ai thekson se askush nuk ka imunitet për t’i shpëtuar ndëshkueshmërisë në rastin e ndërtimeve të paligjshme dhe akoma më keq, kur kryhen krime që cenojnë mjedisin, shëndetin, sigurinë apo jetën e qytetarëve.

Për shkeljet dhe mangësitë e konstatuara u morën këto masa:

-U shkarkua nga detyra Shefi i Komisariatit të Policisë Përmet, Kryekomisar Gazment Shehu;
-U shkarkua nga detyra Shefi i Stacionit të Policisë Këlcyrë, Nënkomisar Edmond Anxhara;
-U përjashtua nga Policia e Shtetit Inspektor Dashnor Jakupi, Specialist i Policisë së Zonës;
-U dha ‘Vërejtje me paralajmërim’, për Zëvendësdrejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, Drejtues Koço Dafa;
-U dha ‘Vërejtje’, për Drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, Drejtues i Parë Lorenc Panganika.

Ndërkohë Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme pas veprimeve hetimore, referoi materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Përmet për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, në bazë të nenit 248 të Kodit Penal për punonjësit e Policisë:

-Kryekomisar Gazment Shehu, Shefi i Komisariatit të Policisë Përmet;
-Nënkomisar Edmond Anxhara, Shefi i Stacionit të Policisë Këlcyrë;
-Inspektor Dashnor Jakupi, Specialist i Policisë së Zonës.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter