Misioni i mësuese Liljanes - Shtëpi më shtëpi për regjistrimin e fëmijëve të ngujuar
13/09/2017 - 16:32 Nga: Bepin Kolvata

Sapo ka lënë shtëpinë e një familje të ngujuar në Postribë. Pjesëtarët e saj nuk i duan kamerat dhe kërkojnë të lihen në hallin e tyre, që siç tregojnë, prej vitesh i shoqeron ditën dhe natën, pa patur përkrahjen e askujt.

Mësuesja Liljana Luani, e cila prej vitesh i është përkushtuar dhënies mësim në familjet me probleme gjakmarrje, këtë radhë mbi supe ka marrë një tjetër sfidë.

E mbështetur nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ajo po nxjerr të dhënat nga 6 qarqe mbi numrin e saktë të familjeve të ngujuara dhe sa fëmijë janë të privuar nga ndjekja e shkollës.

Liljana Luani: “Statistikat e plota që deri më sot kanë munguar. Kam përfunduar me qarkun e Kukësit. Në qarkun e Lezhës nuk kishte asnjë fëmijë të ngujuar. Familje kishte goxha të ngujuara por ishte bërë rregull që fëmijët të mos ngujohen. Në Tropojë kam gjetur 3- 4 fëmijë që shkonin në shkollë jo rregullisht dhe niveli i tyre arsimor linte shumë për të dëshiruar. Tani kam qarkun e Shkodrës. Në fund do t’ia dorëzoj statistikat ministrisë së Arsimit.

Unë do shkoj ku ka fëmijë me problematikë gjakmarrjen. Të bëj studimin e nivelit arsimor dhe psiko social të tyre në 6 qarqe të vendit dhe statistikat do i dorëzohen ministrisë së Arsimit. Do shikohet realiteti.

Mësuese Liljana kërkon që institucionet të mos e fshehin këtë realitet, pasi në këtë formë thotë ajo nuk kontribuojnë në zgjidhje.

Lljana Luani: E mirë është që statistikat të thuhen të sakta, sepse nuk i shërbejnë askujt, duke e mbuluar apo zmadhuar fenomenin. Realiteti ndikon në zbutjen e këtij fenomeni

Në dijeninë e saj, Liljana Luani thekson se nuk ka asnjë mësues që shkon në shtëpitë e këtyre familjeve për të dhënë mësim, duke treguar se projekti i disa viteve më parë ka dështuar.

Liljana Luani: Unë kam 11 vite që punoj vullnetarisht me fëmijët dhe familjet në gjakmarrje. Atje ku kam shkuar nuk kam parë ndonjë mësues.

Fundi i shtatorit do të shënojë nxjerrjen e të dhënave të plota mbi fenomenin në fjalë, i cili prej 27 vitesh nuk është zgjidhur as nga shoqatat e pajtimit e as nga dora e shtetit.

Në drejtorinë arsimore të Shkodres thonë se nuk ka këtë vit asnjë fëmijë të ngujuar që nuk ndjek arsimin e detyrueshëm, por Luani e mohon një fakt të tillë, duke shtuar se ka madje fëmijë që nuk dalin as jashtë mjediseve të shtëpisë.

Liljana Luani: “Fëmijë të ngujuar totalisht ka por nuk janë shumë. Unë sot isha në një shtëpi ku fëmijët nuk dilnin as tek dera e oborrit.”

Janë tre kategori fëmijësh
-Ata që nuk shkojnë fare në shkollë, por që nuk janë në shkollë
-Fëmijë që nuk shkojnë rregullisht në shkollë, dhe niveli i tyre arsimor është problem i madh
-Fëmijët e palës kundërshtare.

“Me këto fëmijë duhet të punojmë shumë sepse ato rriten nën psikologjinë e urrejtjes, hakmarrjes dhe dhimbjes për familjarët e vrarë dhe shumë kollaj mund të bëhen kontigjentë krimi sepse duan të marrin hak” thotë mësuesja. 

/Oranews.tv/ 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento