Skaneri në dogana, Zusi: Tashmë efiçent 24 orë/ditë
08/09/2017 - 17:49 Nga: Flutura Tota

Kompanitë që importojnë apo eksportojnë mallra përmes pikave kufitare, nuk do të presin më për orë të tëra, për të kryer proçesin e skanimit. Alban Zusi, kreu i Qendrës së Eksporteve Shqiptare thotë për “Channel One”, se pas negociatave të realizuara, drejtoria e përgjithshmë e Doganave ka vendosur që skanerat të punojnë 24 orë pa ndërprerje. Një vendim i tillë pritet të ndikojë në koston që kompanitë duhet të paguajnë, pasi humbja nga pritja në dogana arrin në 20% të vlerës totale të ngarkesës.

Kompanitë e import-eksportit të mallrave të ndryshme, nuk do të duhet më të presin me orë të tëra, për të kryer proçesin e skanimit në dogana.

Drejtori Ekzekutiv i Qëndrës së Eksporteve Shqiptare, Alban Zusi në intervistën për “Channel One” konfirmon se sistemi elektronik do të vendoset së shpejti dhe do të funksionojë 24 / 24 orë.

Alban Zusi: Menjëherë u dhanë instruksione për degët doganore të punojnë 24 orë, aty ku ato janë të predispozuara që të punojnë pa ndërprerje, si ajo e Qafë Thanës. Por në të njëtën kohë, u instruktuan drejtorë rajonalë që të nisin negociatat me menaxherët e kompanisë private që menaxhon skanerin, që minimalisht të punohet deri në orën 23:00 të darkës dhe në përiudhën e sezonit të eksportit të perimeve, të negociohet që të punohet edhe në turnin e tretë. Pra të punohet 24 orë edhe me skanerin.

Bizneset kanë deklaruar afro 20 përqind humbje, për shkak të vonesave në zhdoganimin e mallrave në operacionet tregtare.

Alban Zusi: Nuk mundemi kurrsesi që të dëmtojmë eksportuesit tanë për shkak të disa rregullave apo proçedurave burokratike administrative. Fatura për çdo kamion që mbërrin në doganë në orën 21:00 apo 22:00 dhe duhet të skanohet të nesërmen në orën 07:00 apo 08:00 të mëngjesit dhe të shkojë në destinacion për tu shitur pas 24 orëve, është minimalisht e barabartë me 20% të vlerës së mallit që ka në kamion.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka udhëzuar pikat rajonale të shërbimit doganor për të mundësuar skanimin e mallrave 24 orë në ditë.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento