Veliaj: Vota për Edi Ramën dhe për PS, garanci që puna të vijojë në Tiranë
19/06/2017 - 13:32 Nga: Florinda Merko

35 hektarë hapësirë urbane do të rikualifikohen në bllokun Misto Mame në Kombinat. Nisja e punimeve për këtë lagje është inspektuar nga kryebashkiaku Veliaj dhe deputeti Saimir Tahiri. Veliaj ka premtuar rritje të vlerës së pronës në zonë, ndërsa ka kërkuar votën e banorëve për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste.

Pas njësisë 5 tashmë do të jetë radha e bllokut “Misto Mame” në Kombinat, për tu shndërruar në një nga lagjet më të mira të Tiranës. 

Sipërfaqja prej 35 hektarësh në të cilën kanë nisur tashmë punimet u inspektua nga kryebashkiaku Erion Veliaj dhe deputeti i PS-së, Saimir Tahiri.

Veliaj tha se do të punohet për rikualifikimin e këtij blloku pavarësisht se është sezon pushimesh.

Veliaj: “Ka qenë një kërkesë prej dy vitesh e Sajmirit që të përfundonim një projekt, i cili transformon 35 hektarë të një lagjeje që është ndërtuar me djersë gjatë gjithë viteve ‘90-2000. Do të punojmë gjatë gjithë verës, ka apo s’ka fushatë, ka apo s’ka pushime, në mënyrë që deri në fund të vitit të sigurohemi që, ashtu si lagja “Shushica” te Njësia 5 apo lagja “Besa” te Bregu i Lumit dhe shumë hapësira që ku ka vënë dorë bashkia, të kemi mundësi që të sjellim urbanizim edhe zonën e Kombinatit”.

Veliaj premtoi rritje të vlerës së pronës në këtë zonë pas rikualifikimit urban, ndërsa sërish kërkoi që qytetarët të votojnë Edi Ramën dhe Partinë Socialiste në 25 qershor me qëllim që të vijojnë investimet në kryeqytet.

Veliaj: “Po të kemi Sajmirin këtu në Kombinat, Edi Ramën në qeveri, kolegët e tjerë në të gjitha njësitë që përveshin mëngët dhe i shtrohen punës, ajo që kemi bërë në Tiranë nuk është asgjë me çfarë do të bëjmë në dy vitet e tjera. Ndaj mesazhi është i qartë: kush do që Tirana të vazhdojë me punën, të vazhdojë me progresin dhe të vazhdojë me investimet ja ku e ka Sajmirin, Edi Ramën dhe Partinë Socialiste”.

Në hapësirën prej 35 hektarësh është ndërtuar masivisht gjatë viteve 1990-2000.

/Oranews.tv/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
“Pra kur ligjin e shkelim ne quhet krim, kur e shkel qeveria quhet politikë?”

Close