Viti i ri shkollor, mësim me dy turne vetëm në dy gjimnaze në Tiranë
08/09/2017 - 15:55 Nga: Nertila Dosti

Fenomeni i mësimit me dy turne do të jetë present edhe përgjatë këtij viti shkollor. Por numri i gjimnazeve ku nxënësit do të zhvillojnë mësim pasdite është reduktuar.

Kështu nga 25 gjimnaze që ndodhen në kryqytet vetëm në 2 prej tyre mësimi do të zhvillohet me dy turne.

Të dhënat u raportuan në takimin që prefekti i qarkut të Tiranës Admir Abrija zhvilloi me drejtues të disa institucioneve për mbarëvajtjen e vitit të ri shkollor.

Abrija: Sot mund të themi se në të gjitha bashkitë e qarkut të Tiranës janë hapur institucione të reja arsimore apo janë përmirësuar ndjeshëm kushtet e tyre. Janë përmirësuar ndjeshëm në nivelin e kurikulave dhe pjesën logjistike.

Përfaqësues të Bashkisë Tiranë, nënkryetari Andi Seferi dhe Kryetari i Këshillit të Qarkut Aldrin Dalipi thanë se deri në përfundim të mandatit do të ndërtohen 16 shkolla të reja të cilat do t`i japin fund mësimit me dy turne.

Dalipi: Gjatë këtij viti vëmendja për të investuar në objekte shkollore ka qenë e pa krahasuar me vitet më parë.

Seferi: Kemi ndërhyrë pothuajse në 191 shkolla. Nuk do të lejohet asnjë tregtar ambulant të kryej aktivitetet në afërsi të shkollave ose kopshteve.

Ndërkohë në bashkinë Kavajë edhe pse nuk do të ketë mëim me dy turne, disa shkolla rrezikojnë të mos hapin dyert për nxënësit të hënën e 11 shtatorit për shkak të problemeve në infrastrukturë.

Ora News ka publikuar më herët raste të disa shkollave, kryesisht në zonat rurale, të cilat po ashtu rrezikojnë të kenë të njëjtin fat si ato të Bashkisë Kavajë.

/Ora News.tv/

 

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter