Reagimi - ZGJIDHJA: Sjellja ndaj banorëve të Shkozës, fytyra e vërtetë e qeverisë
14/09/2017 - 21:01

Partia ZGJIDHJA e Koço Kokëdhimës reagon ashpër pas dhunës policore ndaj banorëve të Shkozës që kundërshtojnë vendimin e IKMT-së për të prishur banesat e tyre për t’i hapur rrugë projektit të rehabilitimit të Lanës.

ZGJIDHJA kërkon që qeveria të legalizojë dhe dëmshpërblejë me çmimet e tregut banesat e banorëve dhe të mos shkaktojë më fatkeqësi për qytetarët.

Postimi i plotë në fb

Klithmat e të miturit që kërkonte ndihmë, ndërsa policia i tërhiqte zvarrë nënën pse protestonte kundër prishjes së shtëpisë në Shkozë janë tronditëse. Dhuna e qeverisë së Edi Ramës që kërkon ta zgjidhë me kërbaç ndaj popullit çdo punë publike, është krim shtetëror dhe e paimagjinueshme për një shtet demokratik, ku individët kanë të drejta të patjetërsueshme kushtetuese. Ata qindra banorë të Shkozës, që sot bllokuan rrugën në shenjë proteste ndaj qeverisë që kërkon t’u prishë shtëpitë, pa i dëmshpërblyer, janë në të drejtën e tyre.

Pronat e tyre që preken nga projekti i rehabilitimit të lumit Lana nuk duhet të të prishen as me dhunën e policisë dhe as me fadroma, siç ka bërë ky kryeministër katër vitet e shkuara në mbarë vendin. Drejtues të lartë të Rilindjes i mashtruan këta fatkeqë, duke u premtuar gjatë fushatës se nëse u jepnin votat, do të nxirrnin  një VKM të posaçme për pronat e tyre. Tani që u kanë marrë votat, në vend të VKM-së, nxorrën policinë dhe fadromat dhe po u marrin edhe shtëpitë.

ZGJIDHJA distancohet prerazi nga veprimet e këtij kryeministri. Ajo është me banorët e Shkozës në këto momente të vështira të jetës së tyre. Qeveria vetëm duhet t’i legalizojë dhe t’i dëmshpërblejë me çmimin e tregut pavarësisht ku dhe kur kanë ndërtuar, në buzë të detit apo të lumit, në Sheshin “Skënderbej” apo në periferi të Tiranës. Punët publike nuk duhet të kthehen në fatkeqësi për dhjetra familje, që i ndërtuan shtëpitë me nxitjen dhe tolerimin  e qeverive përkundrejt votave në zgjedhje. Ka vetëm një rrugë për çdo ndërtim ende të palegalizuar dhe që duhet prishur për nevoja publike: legalizim dhe dëmshpërlbim sipas çmimeve të tregut për çdo centimetër truall. Jo vetëm që banorët e Shkozës duhet të dëmshpërblehen me çmime tregu, por ata duhet të përfitojnë edhe dy vite qera deri sa të kenë blerë shtëpinë e re ose të kenë ngritur biznesin në një vend tjetër.

Rama ka bindjen se sa më shumë dhunë e mjerim, vështirësi e vuajtje të bien mbi popullin, aq më i gjatë e i sigurtë do të jetë sundimi i tij! Është një politikë çnjerëzore dhe e pashpirt. Sjellja ndaj banorëve të Shkozës tregon fytyrën e vërtetë të kësaj qeverie!

#ZgjidhjaPërQytetarët

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento